Tenda e plakut

Sali Seferi, të mërkurën, po kërkonte vend për tendën e tij, në mesin e dhjetëra tendave, në sheshin Skënderbe. 70 vjeqari nga komuna e Shtimes ka vendosur ta kaloj natën përballë objektit të Qeverisë, të cilit ia kalon nga mosha.
Shiu po ia vështirëson punën, por ai duket i vendosur në misionin e tij. Salihu do ta ngrisë tendën.
“Qëllimi jonë është me protestu për këtë Qeveri. I madh e i vogël duhet me u qu e me rrzu këtë Qeveri”, thotë ai për Gazetën Fjala derisa e krahason pushtetin e tanishëm me regjimin serb.
“Unë i kam ba 70 e kusur vjet, po jom ardh për qito gjeneratat e reja ishalla e gëzojnë. Se qysh po e shoh me kta kena me hjek qysh kena hjek me shkije”, shprehet i mllefosur 70 vjeçari.
Plaku e pranon se nuk do ta ketë të lehtë të qëndrojë përkrah liderëve të Opozitës në këto kushte. Por, shpresa për një të ardhme më të mirë i jep vullnet të qëndroj në shi e të ftohët.
Njeriu që do të do të ndryshoj këtë gjendje, sipas tij është Albin Kurti.
Thirrja e këtij të fundit e ka nxjerrë në shesh edhe Daut Ramën të Dumnicës së Vushtrrisë.
Rama pak dallon në moshë me Sali Seferin, por nuk e ka ndërmend të shkoj në shtëpi për të bërë gjum.
“…Kushtet e vështira janë me qëndru, po me kanë edhe ma të shtira kishim nejt. Deri të bjen Qeveria kemi me nejt ktu”, thotë ai.
Madje i quan tradhëtar ata që nuk janë me opozitën, shkruan Gazeta Fjala.
Por, është dikush që po proteston bashkë me ta në shesh e që nuk është as me opozitën e as me pozitën.
Danush Rashiti, bashkë me ish punëtorë të tjerë të Fabrikës së Gypave në Ferizaj, tash e dy vjet kanë ngritur tendat e tyre.
Ai thotë për Gazetën Fjala se e përkrahin kauzën e opozitës por nuk do t’ua hapin derën në tendën e tyre nëse protestuesit kërkojnë të ngrohen apo të bëjnë gjum aty.
“Nuk mundemi me pranu turli njeri këtu edhe s’na lejohet”.
Rashiti është i mllefosur në Qeverinë e Kosovës, e më shumë në Zv.Kryeminsitrin, Hashim Thaçi, që nuk i vizitoi asnjëherë që kur janë në grevë.
Ai e kujton vetëm një darkë që ua kishte shtruar Thaçi në Ferizaj në kohën e zgjedhjeve.
“Ka pas ardh Hashim Thaçi në mars të 2014-tës, kur u aprovu kërkesa për me na i dhanë pagat 50 për qind, me 19 prill. Na qoj na dha darkë në Ferizaj, e na qiti ktu me tupana qysh e ka pa krejt populli. Kurrë ma ai insan ktu su ardh”, tregon Rashiti.
Ish punëtori kundërshton zgjedhjen e Thaçit president por protesta e tij dhe opozitës dallojnë për nga kërkesat. Ata i bashkon vetëm sheshi./Gazeta Fjala/
(Fitnete Rrahimi)