Telekomunikacioni në mëshirë të operatorëve

Edhe Posta dhe Telekomi i Kosovës po shkon drejt falimentimit. Por, menaxhmenti i sajë, edhe nëse dëshiron të marr ndonjë vendim strategjik për zgjerimin e shërbimeve, nuk mund ta bëjë sepse mungon bordi i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Ekspertët mungesën e bordeve e quajnë të rrezikshme.
“Mungesa e bordit do të thotë se nuk ka monitorim të rregullt të tregut të telekomit. Si rrjedhojë e kësaj operatorët mund ta përdorin këtë hapësirë dhe rrjedhimisht mund të ketë çrregullim të tregut, që sigurisht do ta dëmtojë konkurencën e mirëfilltë”, tha për Gazetën Fjala, Shyqyri Haxha, doktor i shkencave të telekomunikacionit.
Ai ka vlerësuar se edhe liberalizimi i tregut të telefonisë cenohet pa bord funksional.
“Mungesa e një bordi, sidomos në Kosovë ku ka interferenca nga operatorë ilegalë është shumë e dëmshme për buxhetin e Kosovës. Në fakt nuk ka monitorim që përcjellë dhe rregullon sjelljen e operatorëve në tregune e telekomit”, tha Haxha,i cili për disa vjet ka qenë edhe Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së.
Ai ka tërhequr vërejtjen edhe tek investimet e jashtme. “ Mungesa e Brodit ndikon shumë keq edhe në investimet e huaja sepse asnjë operator potencial që dëshiron apo ka ndërmend të investojë në Kosovë, kur e sheh që bordi është jo funksional, tërhiqet”, tha Haxha.