Telefoni i ri iPhone, zbulohet risia e Apple

Pas zhbllokimit përmes kodit numerik dhe më pas përmes shenjave të gishtave, “Apple” pritet të prezantojë së shpejti një tjetër risi. Kompania amerikane ka regjistruar në gjykatë patentën për metodën e hapjes së një telefoni me vetëm një ‘selfie’.
Në këtë rast, kamera përballë e telefonit do të shërbejë për të kapur tiparet e fytyrës së përdoruesit. Nëse këto tipare korrespondojnë me tiparet e personit, në emër të të cilit është regjistruar aparati, atëherë telefoni do të hapet automatikisht pa qenë nevoja të vendoset një fjalëkalim. Përmes kësaj risie, thotë “Apple”, synohet të eliminohet koha e humbur për të zhbllokuar një iPhone përmes metodave tradicionale, siç janë fjalëkalimet apo shenjat e gishtave që kërkojnë kohën e tyre për t’u analizuar.
Megjithatë “Apple” nuk është e vetmja që po punon në këtë fushë. Të njëjtën metodë ka provuar më parë ta realizojë edhe ‘Google’ për disa versione Android, por më pas u tërhoq duke deklaruar se hapja përmes tipareve të fytyrës është më pak e sigurta nga të gjitha metodat e tjera. “Dikush, diku mund të ketë tipare të njëjta me ju”, – u tha në argumentimin e ‘Google’.