Telefonata që alarmoi Policinë për sulme terroriste

Një bisedë telefonike në mes të një personi nga Gjilani dhe një shqiptari nga Maqedonia që ndodhet në Siri, ka mobilizuar Policinë e Kosovës për të parandaluar “ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë”.
Në kuadër të masave, Policia ka disa ditë që ka urdhëruar të gjithë zyrtarët e saj të bartin jelekët antiplumb. Megjithatë, zyrtarisht thotë se nuk ka rrezik të lartë për sulme terroriste.
“Koha Ditore” ka mësuar nga burime brenda Prokurorisë se gjatë hetimeve kundër disa të dyshuarve, ka përgjuar një bisedë telefonike e cila është interpretuar si mundësi për sulme terroriste.
“Gjatë përgjimeve telefonike, i riu nga Gjilani i ka kërkuar ndihmë një shqiptari nga Maqedonia për të shkuar në Siri dhe për të luftuar për xhihad”, ka thënë burimi. “Bashkëbiseduesi nga Siria i është përgjigjur se xhihad mund të bësh edhe atje ku je”, ka sqaruar burimi. Kjo bisedë është interpretuar si një mundësi për sulme terroriste në Kosovë, ani se nuk ka ndonjë rrezik real për këtë.