Të verbërve u mundësohet qasja në organet e drejtësisë

Personat e verbër tashmë kanë mundësi të kenë qasje në organet e drejtësisë. Ata do të mund të jenë aktiv në njoftimin e rasteve për korrupsion e të bashkëpunojnë me organet përkatëse, sikurse të gjithë qytetarët e Kosovës. Krejt kjo falë legjislacionit kundër korrupsionit, që tashmë është i përkthyer në gjuhën braile.
Shoqata e të Verbërve të Kosovës, e mbështetur nga Programi Anti Korrupsion i UNDP-së, dhe Agjencisë Kundër Korrupsion, promovuan sot ligjet anti-korrupsion, në gjuhën shqipe dhe serbe, në alfabeti braile.
E që krejt kjo ka për qëllim vetëdijesimin për nevojat e personave me aftësi të kufizuara në të pamur.
Kryetari i shoqatës, Rexhep Kadriu bëri thirrje tek institucionet që të bëjnë të mundur, që ligjet e rëndësisë së veçantë, të ofrohen në këtë alfabet për personat e verbër.
Programi i UNDP-së ka përkthyer edhe ligjin për agjencinë kundër korrupsion, ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, ligjin për deklarimin dhe prejardhjen kontrollit të pasurisë së zyrtarëve të lartë politik.
Menaxherja e programit, Shqipe Neziri tregon se kanë përgatitur edhe fletushkë me informata sesi do të mund të t’i drejtohen agjencisë kundër korrupsion për të raportuar në rast se dinë për shkeljen e të drejtave të njerëzve.
I pranishëm në ceremoninë e promovimit të legjislacionit ishte edhe ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi.
Ai tha se duhet rritur implementimi i ligjit dhe shkalla e mbështetjes.
Ky aktivitet u mundësua falë ndihmës së Agjencisë Zvicerane për zhvillim dhe Bashkëpunim.