Të shtënat me armë në ahengje familjare s’kanë të ndalur

Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm në një ditë, me 2 gusht ka shënuar 4 raste të gjuajtjes me armë në ahengjet familjare, në kohën kur policia bën apel të vazhdueshëm për të mos ndërmarrë veprime të tilla.
Njëri rast është shënuar në fshatin Llaushë të Podujeves, ku është arrestuar një person pasi në një aheng familjar ka shtënë me armë zjarri dhe është dërguar në qendrën e mbajtjes.
Po ashtu në komunën e Podujeves në fshatin Revuq, një rast identik ka ndodhur ku është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje i dyshuari për hedhje me armë gjatë një dasme.
Rasti tjetër sipas komunikatës së policisë, raportohet të ketë ndodhur në rrugën Bajarm Bahtiri në Prishtinë, ku policia në vendin e ngjarjes ka arritur të gjejë gëzhoja plumbash. Më pas i ka shoqëruar dy persona në stacion, ku njëri prej tyre e ka pranuar se ka hedhur me armën e cila ishte me leje të skaduar. Pas intervistimit të të dyshuarve, ata janë dërguar në mbajtje.
Edhe në Mitrovicë gjatë ditës së djeshme, është raportuar një rast i të shtënave në aheng familjar. Policia ka investiguar vendin e ngjarjes dhe ka konfiskuar gjashtë gushoja të kalibrit 7.62 mm. Ende nuk ka të arrestuar, por me vendim të prokurorit në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar një mashkull.