Të rijnët e Ferizajt kundër kryetarit Svarqa

Forumi politik i të rinjve në Ferizaj ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të kësaj komune Muharrem Svarqa për mosthemelimin e Drejtorisë për Rini në kuadër të ndryshimit dhe plotësimit të statutit të komunës së Ferizajt. Deklarimi i kryetarit Svarqa për këtë çështje ishte se kjo drejtori nuk mund të themelohet për shkak se zbehet ose dobësohet drejtoria ekzistuese asaj të kulturës rinisë dhe sportit.
Mirëpo ky deklarim i kryetarit është cilësuar si i paargumentuar nga forumi në fjalë të cilët në një komunikatë për media theksojnë se kjo drejtori është në nivelin më të ulët të organizimit. Kësaj iniciative i janë bashkangjitur edhe forumi rinor i LDK-së dhe PDK-së dhe shumë OJQ në komunën e Ferizajt.
Ky forum vë theksin tek çështja që mosmiratimi i kësaj kërkese në mënyrë automatike i përjashton të rinjtë nga përfaqësimi politik dhe rrjedhimisht edhe në procesin e vendimmarrjes lokale.
Në fund ata ftojnë asamblistët lokal, shoqërinë civile, mediat dhe qytetarët të një debati pro ose kundër themelimit të kësaj drejtorie. Gjithashtu presin edhe reflektim pozitiv nga spektri politik në këtë komunë.