Të rënët në Kumanovë mbërrijnë në sallën 1 tetori

Djem të veshur me uniforma të UÇK-së kanë bartur arkivolet e 8 të vrarëve në konfliktin e Kumanovës duke i futur ato në sallën “1 tetori” ku do të mbahen homazhe për të rënët.
Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Turgaj Gashi, Samid Kastrioti, Hysen Rushiti, Fatlum Vishesella dhe Arben Rexhaj do të varrosen sot në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.
Tek arkivolet dy tavolina janë të zbrazëta dhe në të dyja ka lule. Para njërës qëndron një burrë me uniformë të UÇK-së dhe fotografinë e Beg Rizajt i cili u varros pardje në Glogjan.
Ndërsa në tjetrën tavolinë e cila është e zbrazët një tjetër burrë po e mbanë fotografinë e Nusret Kaloshit, shqiptarit nga Maqedonia i cili poashtu u vra në Kumanovë, raporton Zëri.
Ata do të varrosen në ora 17:00 në varrezat e dëshmorëve të kombit në Prishtinë.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës po nderojnë të vrarët në konfliktin e Kumanovës, duke bërë homazhe pranë arkivoleve të tyre në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë.
Telegrafi raporton se në mesin e deputetëve janë: Anton Çuni, Fisnik Ismajli, Ahmeti Isufi, Lahi Brahimaj, Albulena Haxhiu, Rexhep Selimi, Aida Dërguti, Donika Kadaj-Bujupi. /Zëri/