Të premten zgjedhje në Fakultetin Ekonomik për senatorë

Personeli akademik i Fakultetit Ekonomik do të duhet të shpallë kandidatura të reja për senatorë të Universitetit të Prishtinës. Kjo pasi kandidatët e zgjedhur nga kjo njësi në zgjedhjet e 19 janarit u tërhoqën nga gara.
Në garën për senator të Ekonomikut në balotazh kishin shkuar Skënder Ahmeti dhe Myrvete Badivuku. Të dy këta ligjërues në Universitetin Prishtinës, Fakulteti Ekonomik.
Mirëpo që të dy pas disa ditësh u tërhoqën nga gara.
Gazeta Fjala ka biseduar me dekanin e Fakultetit Ekonomik, Skender Ahmeti, lidhur më arsyet e tërheqjes së tij nga gara për senatorë. Ai ka thënë së këtë e ka bërë për çështje parimore, duke mos dashur të jetë pjese e grupacioneve dhe duke mos dashur të përfaqësoj askënd që nuk e meriton.
“Është çështje parimi. Për dy mandate jam munduar të zhduk grupacionet që me decenie kanë ekzistuar në fakultetin ekonomik. Për fat të keq ato nuk kishin qenë të zhdukura por vetëm një mutacioni të zhvillimit të keq dhe që dolën në pah menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve”, ka thënë Ahmeti.
Ndërkaq Myrvete Badivuku e cila gjithashtu ka vendosur që të mos jetë pjesë e kësaj gare, nuk ka pranuar të prononcohet, duke thënë që është e nxënë.
“Jam në konsultime me studentët, nuk mund të përgjigjem kështu përnjëherë”, tha ajo.
Si rrjedhojë e kësaj më 29 janar në Fakulteti Ekonomik do të fillojë përsëri votimi, nga ora 08:00 deri në orën 12:00.
Zgjedhjet për senatorë, anëtarë të Këshillave të fakulteteve, një anëtari të Këshillit të Fakultetit nga administrata dhe 2 përfaqësuesve në nivel të administratës së UP-së për anëtarë të Senatit, u mbajtën më 19 janar.
Atë ditë u zgjodhën senatorët e 6 njësive akademike nga 13 sa i ka UP-ja. 7 njësitë ku nuk mundën të zgjidhen senatorët, u zhvillua me balotazh./GazetaFjala/.