Të papunët në Kosovë, nuk pranojnë punë as me 450 euro rrogë

Autori:Gazeta Fjala

Të papunët në Kosovë jo çdoherë janë të interesuar të punojnë. Disa kompani prodhuese në Kosovë po kanë mjaft probleme për gjetjen e punëtorëve.

Ata tregojnë se të papunët nuk po shprehin interesim të punojnë, kur ato kompani hapin vende të reja pune.

Radio Evropa e Lirë më herët kishte raportuar se Kompania e verarisë “Stone Castle” në Rahovec, ka probleme të vazhdueshme për gjetjen e punëtorëve për të punuar në vreshtari.

Por, të papunët në Kosovë, përveç vreshtarisë që nuk duan të punojnë, ata hezitojnë të punojnë edhe në vjeljen e patateve.

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, në Vushtrri, e cila merret me prodhimin dhe përpunimin e patates, tregon për Radion Evropa e Lirë se si shumë të papunë kanë hezituar të vijnë të punojnë në vjeljen e patateve.

“Njerëzit ankohen se nuk ka punë, por e vërteta është se të gjithë ne po kemi problem të sigurojmë punëtorë. Problemin më të madh e kemi me punëtorët sezonal për vjeljen e patates. Atëherë kur neve na duhen punëtorë, ne nuk jemi duke gjetur punëtorë, edhe pse i kanë pagat shumë të mira, 450 euro, dhe dy herë në ditë kanë ushqim. Unë vetë e kam punuar këtë punë, nuk është punë e vështirë”, tregon Kosumi.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare gjatë viteve të fundit.

Të dhënat zyrtare tregojnë së nga 1.2 milion forcë punëtore, Kosova ka të punësuar vetëm 300 mijë sosh, pjesa e mbetur janë ose të papunë ose jo aktivë.

Kosova ka nivelin më të lartë të papunësisë në rajon, me 35.5 për qind, pasuar nga Bosnje dhe Hercegovina me 27.5 për qind, Serbia me 18.9 për qind, Mali i Zi me 18.0 për qind dhe Shqipëria me 17.9 për qind.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/te-papunet-ne-kosove-nuk-pranojne-pune-as-me-450-euro-rroge/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala