Të papërgatitur për tregun evropian

Autori:Avdyl Pajaziti

Së fundi, autoritetet në Kosovë u kanë dhënë shpresa të mëdha qytetarëve të Kosovës se gjatë këtij viti do të arrihen marrëveshjet me disa shtete evropiane për punësim sezonal. Por, sa janë të përgatitur këta të papunë për tregun evropian?

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se në bazë të hulumtimeve që ata kanë bërë, të papunët në Kosovë nuk janë të përgatitur për tregun e punës në Kosovë, e lërë me për tregun e punës në Evropë.

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”, thotë se nga takimet që ata i kanë pasur me punëdhënësit në panairet e punësimit në Kosovë, shumë prej tyre kanë treguar se të rinjtë e interesuar nuk i kanë plotësuar kriteret të cilat ata i kanë kërkuar.

“Për shkak të nivelit të edukimit që u është ofruar atyre, shumë prej tyre nuk janë të përgatitur për punët sezonale që ofrohen në vendet e Evropës. Këta të rinj nuk kanë qenë joshës për punëdhënësit në Kosovë, prandaj dyshoj që ata mund t’i plotësojnë kriteret në vendet evropiane”, thotë Mehmeti.

Trajnime profesionale për të papunësuarit, të cilët paraqiten në qendrat e punësimit në Kosovë, ofron Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Divizioni për Aftësim Profesional në kuadër të kësaj ministrie, zhvillon politika për aftësim profesional në harmoni me kërkesat e tregut të punës. Aty ofrohen trajnime falas në profesione të zgjedhura në bazë të analizës së tregut të punës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, Arban Abrashi, tregon se të papunët kanë pasur mundësinë që të trajnohen në këto qendra. Sipas tij, trajnimet e të papunëve që janë bërë në Kosovë mund të përputhen edhe me kërkesat për punësim sezonal.

“Kërkesat që i kemi marrë, apo kontaktet me vendet ku tentojmë të krijojmë mundësi për punësim, kanë të bëjnë me përkrahje shëndetësore. Sidoqoftë, duhet të jem korrekt edhe ndaj shteteve ku ne pretendojmë që të bëjmë marrëveshje që ata vetë të bëjnë seleksionimin e kandidatëve për ato vende. Kushti kryesor është njohja e gjuhës, kurse kualifikimet dhe njohja e punës është diçka ekstra për këta punëtorë”, sqaron Abrashi.

Profesionet tjera që sipas Abrashit mund të kërkohen për punësim sezonal janë edhe ato për hotelieri, bukëpjekës, ndërtimtari si dhe teknologji informative. Ai tregon se të gjitha proceset që kanë të bëjnë me punësim sezonal do të rregullohen gjatë takimeve që do t’i kenë së shpejti me disa nga shtetet evropiane.

Ndërkaq, sa i përket numrit të qytetarëve të cilët do të mund të punësohen përmes këtyre marrëveshjeve që Kosova mund t’i arrijë me vendet e Bashkimit Evropian, Abrashi nuk jep ndonjë shifër.

“Ideja është të krijojmë marrëdhënie me këto shtete dhe të krijomë modele dhe mundësi për qytetarët tanë”, bën të ditur Abrashi.

Ndryshe, në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë. /REL

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/te-papergatitur-per-tregun-evropian/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala