Të mërkurën nis greva e mësimdhënësve

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), të hënën në një mbledhje të jashtëzakonshme, ka marrë vendim që të mërkurën të fillojë greva e përgjithshme në të gjitha nivelet e arsimit.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se edhe pse të premten janë marrë vesh që pagat e muajit prill do të dalin me rritjen prej 0.5 për qind të përvojës së punës një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Për më tepër sipas tij, listat kanë dalë më shumë gabime.
“Ju e dini që ne për hir të dialogut kemi lëshuar pe, jemi tërhequr nga grevat, por tashmë anëtarësia jonë ka filluar ta humbasë besimin në ne duke menduar se edhe ne jemi pjesë e lojërave. Jemi të shtërgnuar nga terreni dhe vendosën se nga e mërkura të fillojë greva e përgjithshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse Qeveria e zbaton vendimin e saj dhe pagat më 1 maj dalin sipas marrëveshjes, atëherë greva do të ndalet dhe nuk do të humbet shumë mësim.