Të lindur për t’u bërë minatorë

Autori:Avdyl Pajaziti

Zenel Shabani nuk po pranon të dal nga nëntoka.

Tash e 26 vjetë ai ka mësuar të jetojë në rreth 300 kilometra tunele të minierës së Stantërgut në Trepçë.

Një pjesë të madhe të jetës aty e ka kaluar edhe stërgjyshi i tij, pastaj gjyshi, i ati e tani ky po e përgatit trashëgimtarin.

Zeneli i ka 58 vjet dhe thotë se është i lindur për t’u bërë minator.

“Nuk muj me lan këtë punë pa u siguru se ja kam mësu zanatin dikujt tjetër që ka më punu si unë”, tregon arsyen përse nuk ka pranuar të dal në pension.

Kështu e kishte mësuar punën edhe ai dhe shpreson që deri në përvjetorin e grevës së minatorëve, në fund të muajit, Afrim Neziri do ta trashëgojë.

“Brez pas brezi këtu punojmë. Më shumë është çështje tradite dhe trashëgim i profesionit”, thotë Neziri, i cili qe tre vite e ndjek hap pas hapi Zenelin.

Të lidhur shpirtërisht me minierën

Këta nuk kanë lidhje gjaku, por janë shumë të afërt me njëri tjetrin sa do të rrezikonin jetën për ta mbrojtur shoqi-shoqin, 750 metra nën sipërfaqe të tokës.

Mbi të gjitha duket se janë më të lidhur shpirtërisht me korridoret e errëta të nëntokës ku çdo ditë shtohen për një metër e gjysmë me shpimet e tyre.

“E kem mbrojtë këtë minierë nga armiku i jashtëm e nuk po e mbrojmë tash nga tanët”, thonë me shaka të dy duke biseduar për gjendjen në të cilën është kthyer ky gjigant dhe statusin e pa definuar të tij.

Kjo po i shqetëson 740 minatorët e kësaj miniere.

“Në 89’ën Jugosllavinë se kem duru e as tash nuk e durojmë këtë situatë se kujt po i jetë Trepça. Trepça nuk e duron politikën. Ajo është e minatorëve. Mos të mendojnë qeveritarët se Trepça ka me shku në dorë të tjetër kujt. Kemi me vdekë këtu”, thotë plot emocion xehtari dëshmitar i thuajse të gjitha zhvillimeve në këtë minierë.

Janë aq të inatosur në të gjithë ata që bëjnë plane për nëntokën e Kosovës nga kolltuku, sa thonë se shpejtë do të vijë dita që ti hedhin në plehëra politikanët si në Ukrainë.

Këtë thonë se do ta bënin të lodhur nga shfrytëzimi i djersës dhe punës së tyre nga politikanët në dëm të vendit.

“Fuqia e minatorëve është se gjithçka bëjnë për të tjerët e jo për vete. Punën, xehet, grevat e të gjitha i bëjnë për të tjerët. Ne nuk mundemi me mbajtë gjithë”, thotë Zeneli.

200 milionë euro për funksionalizimin e Trepçës

Në çdo tonë xehe që Zeneli dhe Afrimi nxjerrin mbi tokë, vlerësohet se janë rreth 0.2 gram ari e diku rreth 170 gramë argjend.

Çdo vit mesatarisht nga thellësia e kësaj miniere nxirren rreth 200 mijë ton xehe që shiten për diku 17 milionë euro.

E tëra shitet në vende të ndryshme të botës pa u ndarë ari e argjendi, por si koncentrat plumbi e zinku.

Teknologjia që ekzistonte dikur në kombinatin metalurgjik Trepça dhe njësitë përcjellëse nuk është në funksion. Me statusin aktual në menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, njësitë përcjellëse që do të rrisnin vlerën e xeheve të nxjerra nga Trepça nuk mund të vihen në punë.

Menaxhmenti i Trepçës është në pritje të definimit të statusit në Parlamentin e Kosovës. Ata janë në pritke edhe të licencës për punë në këtë gjigant metalurgjik, pasi në mungesë të bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale nuk ka kush t’u lëshoj licencë.

“Nuk mund të vazhdohet kështu. Për këtë shkak kemi gjet gjuhë të përbashkët edhe me institucionet qendrore sepse edhe ata janë të vetëdijshëm që nuk mund të ecet kështu”, thotë Ahmet Tmava, drejtor i kombinatitit Trepça.

Ai thotë se janë të gatshëm të marrin obligime të reja pas vendimit të Kuvendit.

“Definitivisht duhet të sqarohet statusi dhe të dihet se çfarë duhet të bëj menaxhmenti me njësit aktive dhe çfarë të bëjë me njësit që janë jashtë funksionit”, thotë Tmava.

Sipas tij, për çdo njësi, statusi duhet të qartësojë edhe masën investive dhe çfarë mund të funksionalizohet e çfarë jo pasi menaxhmenti thotë se nuk mund ti siguroj mjetet e nevojshme.

“Ato ose duhet të bëhen nga qeveria ose partneriteti publiko privat. Nuk ka gjasa që Trepça në këtë kohë të investojë 100 milionë euro për shkritore, 35-40 milionë euro në elektrolizë, 40 milionë euro në akumulatorë e tjera, e tjera”, thekson Tmava.

Ai nuk jep ndonjë shifër se sa është totali i nevojshëm i investimeve, por ajo thotë se varet se çfarë dëshiron të investohet  dhe cilat njësi duhet të funksionalizohen.

Por, besohet se rreth 200 milionë euro është nevoja për investime fillestare për funksionalizim të disa njësive më emergjente.

“Diçka mundet me u funksionalizu, diçka duhet krejt nga fillimi”.

Shumë njësi janë aq të vjetra sa nuk mund tu gjinden as pjesë rezervë dhe nuk i plotësojnë parametrat e kërkuar për mbrojtje të ambientit.

E deri në funksionalizim, menaxhmenti mbetet në hall edhe me një dukuri tjetër shqetësuese në kombinat.

Vjedhja e vazhdueshme e pasurisë dhe pajisjeve.

Së fundi janë vjedhur dy kabllo të trafove në Trepçë ndërsa drejtori tregon se u kanë shpallur luftë të hapur keqbërësve.

“Janë tre punëtorë të suspenduar për vjedhje. Kemi pas shumë presione, shumë telashe por janë ndalë vjedhjet në masë të madhe”, tregon ai.

Presionet në këtë kombinat janë të mëëdha, e pranojnë edhe menaxhmenti. Dikush për të mbuluar vjedhjet, dikush për arsye politike e disa për të vendosur fatin e Trepcës. Por, sido që të vejë puna minatorët janë janë të vendosur ta ruajnë nëntokën e Kosovës ppër Koovën.

 

Pasuria e pamatur e Trepçës

Ish-drejtori i Trepçës, Burhan Kavaja ka theksuar se nuk janë bërë hulumtime të detajuara dhe praktikisht është shumë vështirë të dihet vlera reale e pasurive të Kosovës.

Siç thekson ai, çdo muaj kur të nxirren dhe shfrytëzohen sasitë e mineraleve, zbulohen të tjera të reja.

“Në vitin 1992 kemi bërë një vlerësim për të gjitha resurset e Kosovës, [vlera] ka qenë 505 miliardë [USD]; pjesa kryesore e tyre ka qenë thëngjilli, kaustobiolidet. Atëherë pati mbetur që Trepça, në atë kohë potencialin material e ka pasur 85 miliardë dollarë. Mirëpo, tash nuk mund të themi sa [është vlera reale], se edhe në kohën kur e kanë shfrytëzuar serbët, edhe në kohën kur e kemi shfrytëzuar ne, nuk janë bërë kurrfarë kërkimeah, të cilat do të ishin të verifikuara dhe të kategorizuara”.

 

Ari i Kosovës

Në Republikën e Kosovës ari paraqitet në para gjenezë me xehe të bakrit, plumbit dhe zinkut si dhe i pastër (i vetëlindur) në depozitime aluviale të lumenjve. Gjerë më tani ari dhe argjendi janë nxjerrë vetëm nga xehet e plumb-zinkut. Hulumtime të pakta janë realizuar në territorin e gjerë të Artanës, Junikut, në lumin Tërnavë, Dragash, në afërsi të Prekovcit (Kriva Reka), Gllamë dhe në lindje të Koretishit. Ari i cili është i lidhur me mineralizimet dhe vendburimet e plumb-zinkut, në nivelin e matshëm paraqitet në minierën e Artanës, ku përmbajtja e arit është më e madhe dhe kjo minierë njihet si vendburimi me përbërjen më të lartë të arit në Kosovë. Resurset e arit në minierën e Artanës vlerësohen të jenë 2,700 kg. Përbërja mesatare e Arit ne vendburimet e Plumb Zinkut vlerësohet 0.8 gram për ton. Vlerësohet se  që nga viti 1939 kur lëshohet në punë shkritorja në Zveçan dhe përfundimisht deri në vitin 1989, është prodhuar  sasia e arit prej rreth  11.90 ton.

11003911_10205898491970311_371829456_n

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/te-lindur-per-tu-bere-minatore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala