Të lënduarit prej dhunës policore (Foto)

Autori:Avdyl Pajaziti

Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se cilët janë personat e lënduar nga Policia e Kosovës gjatë protestave të sotme.

Në shkrimin e tyre thuhet:

Përdorimi i forcës së qindra policëve kundër aktivistëve të Vetëvendosjes ka shkaktuar dhjetëra të lënduar.

Sipas raportimeve që i kemi nga brenda ambienteve të policisë, dhuna ka vazhduar edhe në ambientet ku janë mbajtur aktivistët e arrestuar për qëndrimet e tyre politike.

Të lënduarit dhe të plagosurit prej ushtrimit paprecedent të dhunës policore janë me dhjetëra. Më poshtë ne po publikojmë emrat për të cilët tashmë kemi konfirmim.

Ndër fytyrat e policëve të fotografuar kemi parë edhe disa prej zyrtarëve policorë të njohur edhe më parë për sadizmin dhe ndjenjën e hakmarrjes ndaj aktivistëve.

Të lënduarit:

Sami Kurteshi, ish-avokat i popullit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje është rrahur, është shkelmuar e shkelur prej policisë ndërkohë që rrinte ulur në rrugë, i lënduar rëndë në brinjë.

Gani Krasniqi, aktivist i çështjes kombëtare, i burgosur politik, organizator i UÇK-së, ish-kryetari i komunës së Malishevës,është rrahur rëndë prej policisë brenda në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe i janë shkaktuar hematoma e gjakrrjedhje në fytyrë.

Valdrin Ahmeti, Koordinator për aktivitete në Lëvizjen Vetëvendosje është rrahur rëndë në ambientet e policisë dhe është dërguar në emergjencë me lëndime të rënda në brinjë dhe me thyerje në trup.

Frashër Krasniqi, drejtues i Sekretariatit për Media e Komunikim i Lëvizjes Vetëvendosje është qëlluar me plumba gome dhe është rrahur gjatë arrestimit. Ai ka lëndime të rënda në fytyrë, pas koke, si dhe në këmbë e në trup.

Kushtrim Dermaku është lënduar rëndë në kokë dhe ka përfunduar në emergjencë ku ka marrë 5 qepje.

Qëndrim Sahiti është lënduar në gjymtyrë, me thyerje të eshtrave dhe ka marrë ndihmë në emergjencë.

Luan Hoti është rrahur rëndë në ambientet policore dhe ende nuk është dërguar në emergjencë.

6 aktivistë kanë marrë ndihmë deri më tani në emergjencë.

14 aktivistë janë në gjendje të rëndë brenda në ambientet policore, dhe kanë nevojë urgjente të kurohen në emergjencë.

Ky është bilanci pas një Manifestimi paqësor për Republikën. Kjo është fytyra e vërtetë e dhunës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/te-lenduarit-prej-dhunes-policore-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala