Të gjithë shesin, pak blejnë

Autori:Zekirja Shabani

Viti 2015 po demonstron një ofertë të shtuar për shitje dhe me një interes të ulët për blerje. Shteti nuk gjen blerës për kompanitë e veta. Shitjet e tokave dhe shtëpive kanë rënë me rreth 40% në 6-mujorin e parë. Volumet e transaksioneve të aksioneve kanë rënë me 30% këtë 6-mujor, kundrejt ofertës gjithnjë e në rritje për shitje në Shqipëri.

Frika për të blerë dhe mania për të shitur duket se është kthyer në psikozë gati kronike për konsumatorët shqiptarë, të cilët në gjashtë vitet e fundit, që kur kriza ekonomike çeli siparin, e kanë shtrënguar dorën për harxhime, duke braktisur blerjet e mëdha dhe duke u fokusuar vetëm te nevojat bazike që kanë të bëjnë me jetesën e përditshme dhe kujdesin për shëndetin.

Frika apo pamundësia për të blerë nuk është vetëm një virus që ka prekur konsumatorin, bizneset, bankat dhe qeveritë janë të infektuara gjithashtu. Ky vit ka arritur pikun, ku oferta për shitje është disa herë më e lartë se kërkesa për blerje. Agjencitë imobilare pohojnë se, oferta për të shitur toka dhe shtëpi është rritur me gati 15% në gjashtë muajt e parë, nga ana tjetër kërkesa për të blerë ka rënë me 30-40%.

Që vitin e kaluar, kompani të tregut financiar, sidomos atij bankar, biznese të telekomunikimit janë ofruar për shitje, por në sfond nuk ka blerës.

Qeveria, nga ana tjetër, në pamundësi për të gjetur blerës të rinj për kompanitë e saj, dikur të shumëkërkuara, ka nisur rishtetëzimin e shitjeve të dështuara të viteve më parë.

Gjatë vitit që shkoi, qeveria rimori pronësinë mbi kompaninë e shpërndarjes së energjisë (OSHE) pas dështimit spektakolar të privatizimit nga çekët e CEZ, dhe tani e sheh mjaft të vështirë të gjejë blerës të rinj. Ndërkohë është një plan diskutimi për rishtetëzimin e uzinave të përpunimit të naftës, ARMO, për shkak se operatorët privatë që e menaxhuan atë në gjashtë vitet e fundit e kanë rënduar gjendjen financiare, duke shpallur falimentin praktik. Qeveria ka shtyrë edhe planet për shitjen e Albpetrol-it, pasi situata e çmimeve të ulëta të naftës në tregun ndërkombëtar për të dytin vit radhazi ka shuar interesin e investitorëve seriozë për blerjen e një prej aseteve më të vlefshme ende në pronësi të shtetit.

Të dhënat e 3-mujorit të parë të 2015-s tregojnë se treguesi i besimit të konsumatorëve (TBK) ra me 2.7 pikë përqindje, duke konfirmuar trendin rënës të nisur në 3-mujorin e kaluar, ku shkak kryesor, sipas Bankës së Shqipërisë, është përkeqësimi i balancës së blerjeve të mëdha, e cila ra me 9.2 pikë përqindjeje.

Disbalancat ndërmjet shitjeve dhe blerjeve arsyetohen me shumë faktorë nga ekspertët dhe institucionet. Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi, tha se dobësitë në blerje lidhen me frenimin e rritjes ekonomike të shfaqur vitet e fundit. Sipas tij, blerjet e mëdha do të jenë të kufizuara për sa kohë që burimet e financimit të tyre do të jenë të pakta.

Duke folur për objektet e banimit ai tha se, veç faktorëve që lidhen me gjendjen financiare të konsumatorëve, abuzimet me ndërtime jashtë planeve urbane kanë sjellë interes në rënie për zona të tilla si Kashari në Tiranë.

Përtej faktorit psikologjik të krizës që ka goditur konsumin në tërësi, burimet e financimit të blerjeve po shfaqin paqëndrueshmëri.

Banka e Shqipërisë ka raportuar se pagat në sektorin privat kanë rënë me mbi 5% në vitin e fundit, ndërsa pagat në sektorin shtetëror kanë ndalur ritmet e rritjes. Eksportet kanë rënë me rreth 4% në fund të 5-mujorit, duke lajmëruar më pak të ardhura për financimin e konsumit dhe remitancat nga emigrantët prej vitesh të përfshira në një cikël rënës pritet të pësojnë goditjen më të madhe këtë vit nga kriza që po përjeton Greqia.

Për shkak të krizës që po kalon Greqia, remitancat janë pothuajse përgjysmuar, duke rënë nga 952 milionë euro në vitin 2007 në 544 milionë euro vitin e kaluar.

Shlyerja e detyrimeve të prapambetura të faturave të energjisë elektrike dhe rënia e besimit theksuan sjelljen hezituese të konsumatorëve për të kryer shpenzime në këtë periudhë. Kjo u reflektua në masë më të madhe në uljen e konsumit të shërbimeve dhe të blerjeve të mëdha. Banka e Shqipërisë referon se, treguesit e besimit sinjalizojnë për konsum të ulët edhe gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2015.

Treguesi i besimit në bizneset e degës së tregtisë u ul me 4 pikë përqindje, ndërsa treguesi i besimit konsumator ra nën mesataren afatgjatë në këtë periudhë.

Guvernatori Genti Sejko ka pohuar se ka banka të vogla që prej vitesh nuk janë aktive në treg dhe që nënkuptohet që kanë një strategji daljeje nga tregu. Nga ana tjetër, bankat e mëdha nuk kanë interes për të blerë./Monitor/

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/te-gjithe-shesin-pak-blejne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala