Të gatshëm për tregun e punës

Florentina Krasniqi synon ta realizojë ëndrrën që gjatë gjithë jetës të mos i ndahet shkollës. Rioshja nga Pagarusha e Malishevës ëndërron të bëhet profesoreshë e gjuhës shqipe.
Maturantja ndryshe mendonte në shkollë fillore, kur shpresonte që një ditë ta vishte mantelin e bardhë dhe t’i përvilte mëngët në shërbim të të sëmurëve. Mendjen e ndërroi pasi u regjistrua në drejtimin e mjekësisë në shkollë të mesme. Aty nuk qëndroi gjatë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në klasën e njëmbëdhjetë u transferua në drejtimin administratë dhe shërbime të zyrës në Qendrën e Kompetencës. Nuk jep shumë shpjegime për ndryshimin e ambicieve.
“Këtu janë kushtet më të mira dhe është më lehtë”, thekson Florentina fjalëpakë. Shpreson që ta kalojë testin për pranim në Departamentin e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës.
“E di se ka shumë mësimdhënës të gjuhës shqipe, por shpresoj se do t’ia dal”, shton Florentina, teksa qëndron në oborrin e shkollës në shpatinën e rrezes së Malit të Goleshit, në anën e djathtë të rrugës Malishevë-Rahovec.
Me standarde evropiane
Shkolla në Malishevë është një prej katër qendrave të kompetencës, të cilat janë ndërtuar me qëllim të krijimit të kuadrove profesionale dhe të kualifikuara për treg.
Planprogrami i këtyre qendrave përbën 60 për qind teori dhe praktikë profesionale, kurse vetëm 40 për qind lëndë të përgjithshme akademike, të cilat mund të bëjnë bazën e një studimi akademik.
Të tjerat janë në Skënderaj, Ferizaj dhe Prizren. Tri prej tyre kanë nisur punën në vitin shkollor 2010/2011, ndërkaq ajo e Prizrenit në shtatorin e vitit të kaluar.