Të arrestuarit e Kumanovës kishin kontakte me shërbimet sekrete maqedonase?! [Video]

Autori:Avdyl Pajaziti

Disa prej kosovarëve të arrestuar nga grupi i Kumanovës para autoriteteve kompetente maqedonase deklaruan se kanë pasur kontakt me të paktën dy njerëz nga Agjencia e Inteligjencës dhe me dy nga DSK-ja, mëson jo-zyrtarisht Alsat M nga burimet e hetimit.

Sipas informatave të pakonfirmuara tani për tani, në një pjesë të deklaratave zyrtare të të arrestuarve është përmendur agjenti me inicialet SH.M identiteti i të cilit u publikua nga disa mediume në vend dhe në Kosovë.

Personi tjetër i përmendur nga njëri prej të arrestuarve në Kumanovë, thuhet se është këshilltar i sigurisë te Presidenti, i cili së bashku me SH.M është shfaqur në regjistrim që në telefonin e vet e ka pasur njëri nga të vdekurit në aksion. Cila ka qenë natyra e këtyre komunikimeve dhe çfarë janë marrë vesh, tani për tani nuk dihet.

Alsat M edhe sot kërkoi përgjigje nga Agjencia e Inteligjencës praktikisht për të njëjtat pyetje që fillimisht i bëmë para më shumë se një javë pas shkrimit në “Koha Ditore” për takimet mes zyrtarëve të Agjencisë dhe liderëve të grupit të Kumanovës. Në pyetjen nëse është e vërtetë se pjesëtarë të agjencisë kanë pasur kontakte të tilla, dhe nëse kanë pasur me çfarë karakteri ishin ato, nuk morëm përgjigje.

Publiku është i njohur tashmë vetëm me qëndrimin e institucionit. E ai është paralajmërimi se do të ngrenë procedurë për përgjegjësi penale për ata që e zbuluan identitetin e agjentit të tyre të fshehtë. Nga Agjencia nuk u përgjigjën ende se sa persona fizikë ose juridikë janë të dyshuar në denoncimin e tyre.

Për denoncimin pyetëm në Prokurorinë publike. Ata konfirmuan se e kanë pranuar, por nuk u përgjigjen se sa njerëz janë subjekt i hetimeve të mundshme.

“Për momentin mund të konfirmojmë se ka arritur Iniciativa nga Agjencia e inteligjencës e cila është marrë në shqyrtim nga një prokuror kompetent. Për detajet e procedurës do të informoheni me kohë”.

Zyrtarisht, deri më tani vetëm nga MPB-ja njoftuan se agjentë të tyre nga DSK-ja, së paku zyrtarisht nuk kanë pasur kontakt me anëtarët e grupit të Kumanovës, para ngjarjeve të 09 dhe 10 majit. Ndonëse jozyrtarisht, në deklaratat e të arrestuarve është theksuar se njëri nga udhëheqësit e grupit ka qenë në kontakt me dy nga punonjësit e tyre njëri me inicialet B.D. tjetri B.N. Në njoftimin e Agjencisë së inteligjencës nuk kishte asnjë konfirmim apo mohim, por dënim për zbulimin e identitetit të pjesëtarit të tyre dhe paralajmërim për kallëzim penal. Në publik, tashmë spekulohet se si cak i hetimeve mund të jenë mediat dhe gazetarët me qëndrime kritike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/te-arrestuarit-e-kumanoves-kishin-kontakte-me-sherbimet-sekrete-maqedonase-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala