Task Forca heton 69 persona për korrupsion në EULEX

Një prokuror i EULEX-it ka provuar që t’u hyjë në e-maile zyrtare dy prokurorëve që po hetojnë dyshimet për korrupsion në EULEX.
Prokurori special, Kent Mortimore, që ka trashëguar rastin e policëve të akuzuar për shpërthimin në lokalin “Sekiraça”, ka provuar që të zbulojë dosjet dhe përmbajtjen e komunikimeve elektronike të prokurorëve Heikki Wendorf dhe Armend Hamiti, që drejtojnë Task Forcën e Pavarur për hetimin për korrupsion, shkruan sot “Koha Ditore”.
Këtë e ka bërë me arsyetimin se këta prokurorë kishin përdorur numrin e njëjtë të rastit të shpërthimit në bulevardin “Bill Clinton” dhe se kishin marrë informacione nga ish-prokurorja Maria Bamieh. Kërkesë për qasje ka kërkuar edhe në e-mailin zyrtar të ish-prokurores Bamieh, [email protected], por kjo nuk i është lejuar nga zyrtarët e lartë të misionit.
“Koha Ditore” ka siguruar një dosje zyrtare të EULEX-it që e dëshmon këtë. Në këtë dosje përfshihen pretendimet e këtij prokurori se paraardhësja e tij kishte fshehur dokumente me rëndësi. Gazeta ka siguruar edhe dëshminë e Florim Hasanit, që pretendon se ia kishte dhënë 250 mijë euro avokatit Mahmut Halimi për llogari të ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesco Florit, dhe dëshmi të tjera të dëshmitarëve kyç..