TAP-i do ti sjellë Shqipërisë infrastrukturën e gazit

Autori:Avdyl Pajaziti

Ndërtimi i gazsjellësit “Trans Adriatic Pipeline” (TAP) do të krijojë mundësinë që Shqipëria të zhvillojë tregun e gazit.

Ndërtimi i gazsjellësit “Trans Adriatic Pipeline” (TAP), që nis sivjet, do të krijojë mundësinë që Shqipëria të zhvillojë tregun e gazit, për të cilin industritë dhe termocentralet në vend kanë interes të madh.

Për këtë qëllim, qeveria shqiptare po ndërmerr hapat e duhur në mënyrë, që në vitin 2019-2020, kur gazi të nisë kalimin nëpër tubacionet e TAP-it, Shqipëria jo vetëm që do të lidhet me të, por të ketë infrastrukturë të zhvilluar dhe plane konkrete për zhvillimin e tregut të gazit, thanë sot për ATSH burime zyrtare të ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë (MEI).

Këtij qëllimi i shërben Memorandumi i bashkëpunimit mes qeverive të Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, ku SOCAR do të financojë studimin e fizibilitetit në funksion të gazifikimit të vendit tonë, ndërsa “Western Balkans Investment Framework” (WBIF) ka miratuar financimin 1.1 milion euro për hartimin e Masterplanit të Gazit.

MEI ka firmosur së fundi një marrëveshje granti me vlerë 6.6 milion euro dhënë nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) për zhvillimin e infrastrukturës së lartë të gazit në Shqipëri, përmirësimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore për menaxhimin e tregut, duke krijuar kushtet e përshtatshme të kuadrit dhe për të përgatitur terrenin për furnizim të mundshëm me gaz të vendit.
Nga burimet e kompanisë azere të naftës dhe gazit SOCAR, viti 2015 shënon fazën aktive të ndërtimit të Korridorit Jugor të Gazit, që përfshin gjithë elementët e tij, duke filluar nga projekti i Shah Deniz dhe infrastrukturës së gazit në Azerbajxhan.

Ndërkohë, projekti TAP po avancon punën edhe me Italinë, ku ka ftuar kompanitë e para-kualifikuara për ndërtimin e terminalit gazsjellës dhe instalimin e gazsjellësit nëntokësor atje.

Afati i fundit për kompanitë për të kërkuar pyetësorin para-kualifikues është data 7 prill dhe mendohet që TAP të shpallë në 22 prill tenderin për ndërtimin në nëntokë në Itali.

TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë. Gazsjellësi me gjatësi prej rreth 870 km do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit turko-grek në Kipoi, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik dhe do të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tap-i-do-ti-sjelle-shqiperise-infrastrukturen-e-gazit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala