Jahjaga takohet me zëvendësdrejtorin menaxhues të FMN

Autori:Avdyl Pajaziti

Presidentja e Republikë së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Min Zhu, me bashkëpunëtorë.

Në takim mori pjesë edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza.

Presidentja Jahjaga e falënderoi  Min Zhu për punën që Fondi Monetar Ndërkombëtar po bën në mbështetje të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe të përkrahjes së sektorit fiskal dhe financiar në vend.

Presidentja Jahjaga theksoi se për institucionet e Kosovës është shumë i rëndësishëm stabiliteti fiskal dhe në këtë kuadër tha se duhet vendosur një rregull që kufizon rritjen e pagave në sektorin publik, pasi që një gjë e tillë do të dekurajonte shpenzimet joproduktive dhe arbitrare. Ajo theksoi rëndësinë e investimeve në sektorin e prodhimit, pasi vetëm ashtu do të krijoheshin vendet e reja punës, do të kishte prodhim dhe eksport.

Presidentja Jahjaga me Min Zhu bisedoi edhe për sektorin e energjisë, ku shprehu qëndrimin se Kosova duhet sa më parë të fillojë ndërtimin e termocentralit të ri, për të përmbushur nevojat e vendit. Ajo theksoi se ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese energjetike, do të zgjidhte një problem të madh infrastrukturor dhe do të shmangte një krizë të thellë ekonomike dhe sociale.

Zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar  Min Zhu, vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe punën që institucionet e vendit po bëjnë në ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale. Ai theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës me FMN-në, me qëllim të krijimit të një kornize të qëndrueshme zhvillimore, e cila do të tërhiqte investime të huaja dhe do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/takohet-jahjaga-me-zevendesdrejtorin-menaxhues-te-fmn/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala