Tahiri siguron se do të ketë reciprocitet rreth tabelave me Serbinë

Autori:Gazeta Fjala

Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, qëndroi dje në Bruksel ku mori pjesë në takimin e radhës të dialogut teknik në lidhje me procesin e zbatimit të disa prej marrëveshjeve ku janë shënuar ngecje dhe vonesa në proces.

Ky takim ishte vazhdim i bisedimeve të filluara me 28 dhe 29 shtator, në të cilat, sipas komunikatës së dërguar, kishte pasur disa përparime, por që ishte vlerësuar nevoja për të precizuar më tej hapat drejt përshpejtimit të procesit të zbatimit.

Temat që u diskutuan ishin Lëvizja e Lirë, diplomat, funksionimi i Zyrave Ndërlidhëse dhe kthimi i dokumenteve kadastrale nga Serbia. Bisedimet u ndërmjetësuan nga BE përkatësisht Shërbimi për Punë të Jashtme i Bashkimit Evropian.

Tema kryesore ishte Lëvizja e Lirë, përkatësisht zbatimi i reciprocitetit në çështjet e tabelave të regjistrimit të automjeteve.

Ministrja Tahiri, sipas komunikatës, rikonfirmoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për ta zbatuar reciprocitetin në çështjen e tabelave të automjeteve ku njoftoi se afati i fundit do të jetë fundi i tetorit.

“Tahiri mes tjerash theksoi se pala e Kosovës ka vendosur ta shfrytëzojë të drejtën për reciprocitet që sigurohet nga Marrëveshja e Lëvizjes së Lirë e vitit 2011, duke potencuar se në qoftë se Serbia nuk i heq tabelat ‘prova’ për automjetet e Kosovës me tabelat ‘RKS’ atëherë Kosova do aplikojë masa reciproke ndaj automjeteve që vijnë nga Serbia,” thuhet në komunikatë.

Po ashtu, ajo tha ky reciprocitet do të përfshijë edhe pagesat administrative për këto tabela si dhe dokumentin hyrje – dalje për qytetarët e Serbisë.

Për çështjen e njohjes reciproke të diplomave universitare mes dy shteteve, në takimin e kaluar ishte arritur një marrëveshje me të cilën është hapur rruga e zhbllokimit të zbatimit të marrëveshjes për diploma të vitit 2011, por të cilën Serbia nuk e kishte zbatuar asnjëherë./express

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tahiri-siguron-se-do-te-kete-reciprocitet-rreth-tabelave-me-serbine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala