Tahiri: Serbia po e zvarrit çështjen e Kodit Telefonik, Austria është dashur të aplikojë gjatë nëntorit

Autori:Avdyl Pajaziti

Aplikimi i Austrisë në emër të Kosovës për kodin telefonik, i paraparë të bëhej në nëntor të këtij viti është shtyrë deri më 1 janar 2016. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri thotë se kjo ka ndodhur për shkak të zvarritjes së zbatimit të marrëveshjes nga ana e Serbisë.

Sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel për Telekomin, është paraparë që Austria të aplikonte në emër të Kosovës për kodin telefonik në nëntor të këtij viti. Mirëpo, ky proces është shtyrë deri më 1 janar të vitit 2016, për shkak të zvarritjeve të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes.

“Marrëveshja për telekomin ka paraparë që Austria të aplikojë për kodin e Kosovës në muajin nëntor, mirëpo kjo është shtyrë për shkak të vonesave të Serbisë në zbatim”, i ka thënë Expressit Edita Tahiri.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, i ka thënë Gazetës Express se marrëveshja parasheh që Austria të aplikojë në ITU për kodin telefonik në emër të Kosovës, më 1 janar të vitit 2016 dhe për këtë, Tahiri ka thënë se kanë garanci edhe nga Bashkimi Europian.

“Marrëveshja parasheh që Austria të aplikojë në ITU për kodin telefonik në emër të Kosovës, më 1 janar 2016. Ne i kemi shprehur pakënaqësi BE’së për moszbatim të marrëveshjes nga ana e Serbisë, dhe kemi garanci nga BE’ja që në janar Austria aplikon për Kod në emër të Kosovës.”, ka thënë ajo.

Tahiri ka bërë të ditur se kodi telefonik për Kosovën do të ndahet nga ITU’ja në 15 ditëshin e parë të muajit mars.

Kodi telefonik për Kosovën do të jetë 383, ka konfirmuar Ministrja.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tahiri-serbia-po-e-zvarrit-ceshtjen-e-kodit-telefonik-austria-eshte-dashur-te-aplikoje-gjate-nentorit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala