Tahiri e zhgënjyer me Brukselin

Autori:Gazeta Fjala

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, thotë se vonesat për nisjen e punimeve mbi Urën e Lumit Ibër, janë të pa arsyeshme.

Ajo shprehet e zhgënjyer me Brukselin dhe thotë se çdo shtyrje tjetër do ta tensionojë situatën. Bashkimi Evropian i ka ndërruar sërish fjalët për “Barrikadën e Gjelbër” mbi Lumin Ibër, e vendosur nga serbët e Veriut, vitin e kaluar.

Kosova dhe Serbia gjatë muajit gusht të këtij viti u morën vesh që largimi i “Parkut të Paqes” të nisë më 15 tetor. Por, BE, si autoritet për implementimin e marrëveshjes, ka kërkuar edhe pak afat, 48 orë, që të nisë punimet , për t’i dhënë mundësinë Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Veriut, që gjatë kësaj kohe të gjejnë akordin për kufijtë administrativë.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, vlerëson se nuk ka arsye që të vonohet fillimi i punimeve, pavarësisht qëndrimeve të kryetarit Goran Rakic.

Në një prononcim për RTV Dukagjinin, ajo tha se vijat administrative të definuara me Planin e Ahtisarit ekzistojnë, ndërkaq tërhoqi vërejtjen se të dy komunat e kanë për obligim të zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës.

“E thjeshtë është kjo punë dhe nuk ka nevojë të shtyhen gjërat, për shkak se një zyrtar i Komunës Veriore ka ende dilema se a dëshiron ta pranojë apo jo praktikisht zonat kadastrale, në bazë të vijës administrative”.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ekipi teknik i Kosovës dhe Serbisë, në fund korrik të 2014-së, ishin pajtuar që revitalizimi i urës së Ibrit, të fillojë po atë vit.

Afati i shtatorit u shkel nga pala serbe, ndërkaq barrikada përfundoi në tavolinën e diskutimeve të Brukselit, mes Isa Mustafës dhe Aleksandar Vucicit. Të dy kryeministrat u pajtuan që Parku i Paqes të hiqet më 15 tetor.

Duke folur për afatet, Tahiri tha se është e zhgënjyer me Brukselin dhe çdo shtyrje tjetër pas 48 orësh, tensionon situatën.

“Për faktin që jemi të zhgënjyer, tregon natyrisht se do të ketë pakënaqësi dhe tensione, nëse nuk zbatohet marrëveshja e Brukselit”.

Tahiri, nuk ka dashur të flasë se cilët do të jenë hapat që Qeveria e Kosovës do të marrë nëse puna për largimin e Barrikadës nuk fillon pas afatit, që ndërkombëtarët e kanë dhënë dje.

Në shenjë pakënaqësie ndaj autoriteteve të Kosovës, pas aksionit policor për marrjen në kontroll të pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, në vitin 2011, strukturat paralele në Veri, kishin vendosur mbi Urë barrikadën me zhavorr.

Pengesa që po mbushte vitin e tretë mbi Lumin Ibër, u largua me ekskavatorë në orët e hershme të mëngjesit të 18 qershorit.

Ajo u zëvendësua menjëherë, pas dite. Dhjetëra serbë në praninë e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakic dhe ministrit pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric, vendosën vazo të betonit dhe drunj dekorativë për ta rifunksionalizuar barrikadën.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tahiri-e-zhgenjyer-me-brukselin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala