Tahiri e sigurt, Asociacioni pa kompetenca ekzekutive

Autori:Avdyl Pajaziti

Kërkesa e komunave me shumicë serbe drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për të arritur marrëveshje për asociacionin në takimin e radhës në Bruksel nuk do të ketë ndonjë ndikim në rrjedhën e këtyre negociatave.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë për “Epokën e re” se çështja e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk lidhet me afate kohore. “Tani jemi duke diskutuar për parimet themelore mbi të cilat duhet të themelohet asociacioni. Për këtë ka pasur një përparim, por bisedimet do të vazhdojnë në takimet e radhës që janë më 24 gusht në nivelin teknik dhe më 25 gusht në nivelin e kryeministrave të ndërmjetësuar nga Mogerini. Se si do të shkojnë proceset kjo nuk mund të kufizohet me data e me afate. Prandaj, kërkesat e komunave serbe që kanë dalë nuk mund të kenë ndonjë ndikim sepse negociatat kanë një rrjedh të vetëm dhe ne si Qeveri e Republikës së Kosovës do të jemi të angazhuar për të arritur marrëveshje”, ka thënë Tahiri.

Ajo është shprehur e bindur se ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë një nivel i tretë i pushtetit në Kosovë. “Ne kemi thënë që nga fillimi, qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është i qartë se asociacioni do të jetë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e Kosovës, ashtu siç e thotë edhe marrëveshja e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve. Pra, jemi të prerë, ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, është shprehur Tahiri.

Ministrja Tahiri ka bërë me dije se marrëveshje për këtë çështje do të ketë vetëm nëse respektohen qëndrimet e shtetit të Kosovës, duke shtuar se delegacionit të Prishtinës nuk i interesojnë qëndrimet e Beogradit. “Në të gjitha marrëveshjet që i kemi arritur në Bruksel i kemi prezantuar para opinionit publik dhe në parlament. Pra, ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, duke respektuar edhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Dialogun e Brukselit, kemi mandat të arrijmë marrëveshje vetëm në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e saj. Këtë qëndrim do ta mbrojmë, pavarësisht se çfarë qëndrimesh ka Serbia. Pra, marrëveshje do të ketë vetëm nëse do të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë të mërkurën u kanë bërë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe të Kosovës, si dhe ekipit menaxhues për themelimin e bashkësisë së komunave serbe, që gjatë takimit të ardhshëm në Bruksel të arrijnë marrëveshje për themelimin e këtij asociacioni. Formimi i tij, sipas tyre, do t’i hapë rrugë normalizimit të mirëfilltë të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tahiri-e-sigurt-asociacioni-pa-kompetenca-ekzekutive/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala