Tahiri: BE-ja të mos tolerojë pengesat dhe vonesat që po shkaktohen nga ana e Serbisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.

Siç bëhet e ditur në një njoftim, ministrja Tahiri ka falënderuar shtetin austriak për ndihmën e vazhdueshme që po i jep Kosovës në përgjithësi si dhe përkrahjes në proceset që lidhen me agjendën euroatlantike të Kosovës.

Ajo ka folur për progresin e arritur në Kosovë duke theksuar se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, ka hapur rrugën zyrtare të Kosovës për anëtarësim në BE dhe shërben si një hap i rëndësishëm për Kosovën drejt reformave evropiane.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, ajo ka shprehur përkushtimin e plotë për përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja. Ministrja Tahiri njëkohësisht theksoi se Kosova me të drejtë pret liberalizimin e vizave nga BE-ja sa më shpejtë sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë lëvizjen e lirë në Evropë.

“Ministrja Tahiri po ashtu vuri në dukje kontributin e Kosovës për paqe dhe stabilitet rajonal përmes fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, e cila po dëshmohet edhe në angazhimet serioze të Kosovës në dialogun e Brukselit. Në këtë kontekst, ministrja Tahiri kërkoi nga Bashkimi Evropian angazhim më të fuqishëm sa i përket procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në këtë dialog duke i mos toleruar pengesat dhe vonesat që po shkaktohen nga ana e Serbisë dhe synimeve të saja për ndërhyrje në shtetin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq shtohet më tej, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler vlerësoi progresin e arritur deri tani në Kosovë duke shtuar se Kosova ka bërë përparime mjaft të mëdha që nga koha kur ai ka shërbyer në Kosovë para shtatë vjetësh.

“Ai uroi Kosovës për marrëveshjen e Stabilizim Asociim me BE duke thënë se Kosova ka vendosur marrëdhënie kontraktuale me BE-në, tashmë. Ambasadori Pfandler tha se Austria sikurse në të gjitha kohët e rëndësishme për shtetin e Kosovës do të vazhdojë përkrahjen e fuqishme për Kosovën drejt rrugëtimit të saj në integrime euroatlantike. Duke vlerësuar dialogun e Brukselit ai po ashtu shtoi se shteti i tij vazhdon të përkrah dialogun si një proces kyç për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy vendeve dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës në përgjithësi. Ambasadori Pfandler njëherit konfirmoi angazhimin e Austrisë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral në mes të dy vendeve”, përfundohet në njoftim.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/tahiri-be-ja-te-mos-toleroje-pengesat-dhe-vonesat-qe-po-shkaktohen-nga-ana-e-serbise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala