“Supermeni” i Komunës së Prishtinës

Autori:Avdyl Pajaziti

Emrush Hyseni tash e një vit është duke i mbajtur dy pozitat më të larta në kompaninë publike të Komunës së Prishtinës ,“Sportmarketing”. Ai njëkohësisht e mban pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv dhe pozitën me të lartë të financave, atë të shefit të kontabilitetit.

Nga pozita e shefit të kontabilitetit, në pozitën e kryeshefit ekzekutiv, Bordi i drejtorëve e ka emëruar Emrush Hysenin në korrik të vitit të kaluar, ndërkaq, në pozitën e u. d. të shefit të kontabilitetit, Bordi e ka emëruar Bedri Berishën, mirëpo Hyseni nuk ia ka dorëzuar asnjëherë detyrën. Më 27 maj 2015, Bordi e ka tërhequr vendimin e vet dhe e ka kthyer Berishën në pozitën e zyrtarit të personelit që e mbante më herët dhe Hysenin e ka lënë në të dy pozitat.

Këtë e ka bërë me arsyetimin se Bordi nuk ka kompetencë të emërojë shef të kontabilitetit. Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, nuk ka pranuar të deklarohet nëse mbajtja e dy pozitave nga ana e Hysenit përbën konflikt interesi.

“Nuk është etike e as ligjore që të përgjigjem pa e analizuar situatën”, ka thënë Preteni.

Ndërkaq, Bedri Berisha e ka konfirmuar se për dhjetë muaj sa ishte shef i financave me letra nuk u la ta ushtronte këtë detyrë nga eprori i tij.

“Me miratim të Bordit jam emëruar ushtrues detyre i shefit të financave. Pas një kohe kam kërkuar nga ai që të ma dorëzojë detyrën, por këtë gjë nuk e ka bërë asnjëherë. Pas gati një viti, Bordi i Drejtorëve ka marrë vendim për anulimin e vendimit të emërimit tim para dy muajve. Këtë e ka bërë nën arsyemtin se Bordi nuk ka pasur të drejtë të bëjë emërimin e kësaj pozite sepse kjo pozitë nuk është më e larta financiare. Në fakt pozitë tjetër më të lartë financiare nuk ka te ne”, ka thënë Berisha. /Zëri

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/supermeni-i-komunes-se-prishtines/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala