“Suncana dolina” – projekt për ‘kolonizim’ të Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Të mërkurën, në Varshavë të Polonisë, në një tubim të OSBE-së, përfaqësues të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë do ta prezantojnë projektin “Suncana dolina” (Lugina e diellit), një vendbanim që do të ketë 300 shtëpi.

Ky vendbanim do të ndërtohet në veri të Mitrovicës, ndërsa përveç për zgjidhjen e përhershme të problemit të të zhvendosurve nga Kosova, aty do të vendosen edhe refugjatë, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Evropa dhe e gjithë bota. Kështu u ka thënë medieve serbe, Dushan Kozarev, zëvendës i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Do ta prezantojmë një model të ri për zgjidhjen e problemit të të zhvendosurve nëpërmes konceptit të vendbanimit ‘Suncana dolina’, e cila do fillojë të ndërtohet në veri të Kosovës dhe në të cilën do të kthehen mbi 1 mijë të zhvendosur. Ky do të jetë model, në bazë të të cilit në krahinën e Kosovës e Metohisë do të kthehen dhjetëra mijë të zhvendosur. Vendbanimi ‘Suncana dolina’ (Lugina e diellit) do t’i ketë 300 shtëpi, gjithë infrastrukturën përcjellëse, të gjitha objektet e kulturës, fesë, ekonomisë, shkollimit, si dhe një vend të sigurt të punës për nga një anëtar të familjeve të kthyera, të cilët aty do ta gjejnë të ardhmen më të mirë”, ka siguruar Kozarev, i cili ka shtuar se projekti “Suncana dolina” mund të shërbejë edhe për zgjidhjen e përhershme të problemit të refugjatëve, jo vetëm në Serbi, por edhe të Evropës dhe të botës, të cilët duan të integrohen.

“Kur kjo bashkësi e të kthyerve prej 1500 njerëzve ta gjallërojë këtë vendbanim (Suncana dolina), do të jetë shembull i mirë për gjithë rajonin, se si mund të krijojmë më shumë vendbanime të tilla dhe t’i sjellim më shumë se dhjetëra mijë njerëz që dëshirojnë të kthehen në Kosovë e Metohi, që të jetojnë me dinjitet dhe atëherë mund të themi se ata janë kthyer atje, prej nga janë dëbuar”, ka shpjeguar Kozarev për mediat serbe. /Zëri

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/suncana-dolina-projekt-per-kolonizim-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala