Sulmohet gazetarja në veri të Mitrovicës

Autori:Gazeta Fjala

Gazetarja e portalit ‘Kossev’ është sulmuar fizikisht dhe verbalisht nga një zyrtare e Agjencionit Kosovar të Pronës (AKP), Pravda Bozhoviq. Sulmi ka ndodhur të premten pasdite në veri të Mitrovicës, gjatë një aksioni për lirimin e një banese nga ana e AKP-së.

Ngjarjen e ka konfirmuar për KosovaPress edhe kryeredaktorja e këtij portali, Tatjana Llazareviq, e cila tha se zyrtarja e AKP-së, Pravda Bozhoviq ka sulmuar fizikisht dhe verbalisht gazetaren e portalit ‘Kossev’, e cila ishte duke raportuar nga vendi i ngjarjes.

Sipas saj, kjo zyrtare i ka marrë me forcë foto-aparatin gazetares, duke tentuar t’i shlyejë fotografitë e realizuara gjatë këtij aksioni, pastaj e ka mbajtur gazetaren të kufizuar fizikisht, ka marrë celularin dhe çantën e saj, si dhe e ka sulmuar verbalisht rreth 10 minuta.

“Pyes publikisht AKP-në se në bazë të cilit ligj kanë harmonizuar procedurat e tyre, siç pohon përfaqësuesja për media në këtë Agjencion, Negosava Mërdakoviq, që gazetarëve të mos u lejohet qasja gjatë aksioneve të AKP-së, si dhe mos lejimi i prezantimit të këtyre zyrtarëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre”, ka thënë Llazareviq.

Ajo shtoi s e për tërë rrjedhën e ngjarjes është informuar edhe nga qytetarët, të cilët kanë dërguar po ashtu fotografi të shumta, duke qenë se të gjitha fotografitë nga aparati i gazetares janë shlyer.

Duke pasur parasysh situatën e ndjeshme politike në veri në njërën anë, dhe natyrën po ashtu të ndjeshme të punës nga ana e këtij Agjencioni në anën tjetër, Llazareviq ka potencuar se AKP-ja e cila ka imazh të keq në atë pjesë të Kosovës, duhet të ketë vëmendje të shtuar se cilët zyrtarë të saj i angazhon në atë pjesë.

“Në vend të zyrtarëve të pa aftë dhe të papërgatitur sa duhet, të cilët janë pikërisht subjekte kryesore të incidenteve, siç ishte rasti i djeshëm, AKP-ja duhet të angazhojë në atë pjesë kuadër të përgatitur mirë dhe profesional për të komunikuar me publikun”, theksoi mes tjerash Llazareviq, duke shtuar se situata të tilla vetëm sa dëmtojnë më shumë imazhin edhe ashtu të keq të AKP-së.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sulmohet-gazetarja-ne-veri-te-mitrovices/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala