Sulmohet Ambasada e Shqipërisë në Mal të Zi

Është sulmuar me gurë mbrëmjen e së shtunës Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi.
Lajmi është bërë i ditur në profilin në Twitter të qeverisë malazeze, në të cilin thuhet se nga sulmi ka pasur vetëm dëme të vogla në fasadën godinës.
Sipas të njëjtit burim, sulmi është bërë nga një grup personash që mbanin flamuj të Serbisë dhe bërtisnin slogane, të cilat sipas mediave malazeze ishin antietnike.
Policia malazeze ka marrë menjëherë në mbrojtje ndërtesën e selisë diplomatike shqiptare, e cila bëhet objekt sulmesh për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër.