Sulmohen gazetarët e RTK-së në QKUK, reagojnë AGK dhe SPERTK

Autori:Gazeta Fjala

AGK ka kërkuar që dikush ta marrë përgjegjësinë për trajtimin e gazetarëve brenda këtij objekti.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një komunikate për shtyp ka dënuar ashpër dhunën e përdorur sot nga një pjesëtar i sigurimit privat “Rojet e Nderit”, ndaj ekipit të Radio Televizionit të Kosovës, në ambientet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

AGK ka kërkuar që dikush ta marrë përgjegjësinë për trajtimin e gazetarëve brenda këtij objekti.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar se ekipi i RTK-së, i përbërë nga gazetarja Besiana Mulaj dhe xhiruesi Visar Salihu, është sulmuar fizikisht në korridorin e Qendrës Gjinekologjike në prani të zyrtares së Barnatores së QKUK-së.

AGK kërkon përgjegjësi dhe llogari nga Qendra Klinike Universitare për mënyrën e trajtimit të gazetarëve brenda objekteve të QKUK-së, aq më tepër kur ata kishin marrë lejën paraprake për zhvillim të një interviste.

Asocacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga organet e rendit që të ndërmarrin masa ligjore ndaj sjelljes së pjesëtarit të sigurimit.

Ky është edhe një rast, që tregon për vështirësitë e gazetarëve në përmbushjen e misionit profesional të tyre, për informimin rreth ngjarjeve dhe temave me interes qytetar”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Ka reaguar edhe Sindikata e Punëtorëve e RTK-së.

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së me shqetësim mori lajmin se ekipi i RTK-së, i përbërë nga gazetarja Besiana Mulaj dhe xhiruesi Visar Salihu, është sulmuar fizikisht nga një pjesëtar i sigurimit privat me emrin “Rojet e Nderit”, në korridorin e Qendrës së Gjinekologjisë në prani të zyrtares së Barnatores së QKUK-së.

SPERTK kërkon përgjegjësi nga Qendra Klinike Universitare për mënyrën e trajtimit të kolegëve tanë gazetarë brenda objekteve të QKUK-së, pasi ata paraprakisht kishin marrë leje për intervistë.

SPERTK kërkon nga Policia e Kosovës të hetojë këtë rast dhe përgjegjësit e këtij sulmi të përgjigjen para ligjit. SPERTK mbështet punën e kolegëve tanë gazetarë në informimin e drejtë të publikut, për çka RTK ka mision dhe obligim.

SPERTK inkurajon kolegët tanë të vazhdojnë me trajtimin e temave me rendësi dhe me interes qytetarë. SPERTK kërkon nga institucionet përgjegjëse të dalin në mbrojtje ndaj gazetarëve dhe në të ardhmen mos të ndodhin më sulme.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sulmohen-gazetaret-e-rtk-se-ne-qkuk-reagojne-agk-dhe-spertk/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala