Sulmit të serbëve për Haradinaj, i përgjigjet AAK

Autori:Avdyl Pajaziti

Gazeta elektronike serbe “Kurir” në numrin e sotëm ka shkruar rreth sulmit me armë zjarri, që i është bërë selisë së portalit “Kossev” në veri të Mitrovicës, ndonëse aty nuk kishte persona të lënduar.

Kjo gazetë ka fajësuar përkrahësit e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për sulmin e këtij portali. “Kurir” ka titulluar shkrimin: “Burrat e Haradinajt kanë gjuajtur portalin serb?” Lidhur me këtë sulm ka reaguar Marko Gjuriq, Drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Vuçiqit. Sipas tij, nga sjelljet dhe incidentet e tilla mund të përfitojnë vetëm ata që duan të destabilizojnë situatën në Kosovë, transmeton zeri.info

Nga ana tjetër, kryeredaktorja e portalit “Kossevo”, Tatjana Lazareviq, deklaroi se ende nuk kanë dijeni për motivin e sulmit.

Sulmet e mediave serbe, respektivisht atë të sotmin, e ka dënuar rëndë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas kësaj partie, mekanizma të ndryshme ultranacionaliste që i shërbejnë kësaj mendësie vazhdojnë të prodhojnë lajme të pavërteta në përpjekje për të njollosur figura të shquara kombëtare, siç është Ramush Haradinaj.

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, në një prononcim për “Zërin” thotë se AAK-ja dhe Haradinaj prej vitit 2000 e këndej janë angazhuar në të gjitha periudhat kohore për shtetndërtim dhe paqe.

“Ne kemi promovuar politika të tolerancës dhe gjithëpërfshirës, me qëllim që të demokratizohet vendi dhe shoqëria. Z. Haradinaj dha gjithçka nga vetja për të sjellë lirinë për popullin e tij të robëruar, me intensitet të njëjtë në rrethana tjera është angazhuar për interesa të ndërtimit të shtetit demokratik dhe gjithëpërfshirës, si dhe ruajtjes dhe kultivimit të paqes dhe marrëdhënieve të mira me gjithë rajonin, duke përfshirë edhe Serbinë”, ka thënë ajo.

Ndryshe, dje është raportuar se sulmi ndaj portalit “Kossev” ka ndodhur në mbrëmje, ndërsa dy plumba janë gjetur në hapësirat e selisë që ndodhet në rrugën ‘Kralj Petar’ në veri të Mitrovicës. Policia e Kosovës ka treguar se ende nuk dihet akoma motivi i këtij sulmi, shkruan zeri.info

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sulmit-te-serbeve-per-haradinaj-i-pergjigjet-aak/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala