Suhareka dhe MTI nënshkruajnë marrëveshje bashkëfinancimi të zonave ekonomike

Autori:Avdyl Pajaziti

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë u nënshkrua Marrëveshja për të mbështetur financiarisht komunën e Suharekës për ndërtimin e infrastrukturës së Zonës Agro-industriale, në mes të ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe kryetarit të Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj.

Ministrja Bajrami, me këtë rast, ritheksoi prioritetet dhe objektivat strategjike të Ministrisë të cilën e drejton, për mbështetjen e zhvillimit të sektorit privat, duke përmirësuar klimën e biznesit.

Në këtë kuadër ajo bëri të ditur se do të ketë përkrahje të vazhdueshme për komunat me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës që do të inkurajoj më shumë investime të huaja në Kosovë, me ç’rast Ministria e Tregtisë dhe Industrisë gjatë këtij viti ka nënshkruar marrëveshje me tri komuna për bashkëfinancim të projekteve për zhvillim ekonomik dhe planifikohet që mbështetje të tilla të bëhen edhe në vitet në vijim.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Suharekës Sali Asllanaj, theksoi se kjo marrëveshje do të mundësojë infrastrukturë bazike të zhvillimit të mëtejshëm të sektorit privat në komunën e Suharekës.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është pajtuar për bashkëfinancim të projektit në fjalë, me qëllim të përmirësimit të gjendjes infrastrukturore për ushtrimin e veprimtarive biznesore, e cila do të financoj këtë projekt me 110,000.00 euro për rregullim të një pjesë të infrastrukturës së Zonës Ekonomike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/suhareka-dhe-mti-nenshkruajne-marreveshje-bashkefinancimi-te-zonave-ekonomike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala