Suedia përkrahë liberalizimin e vizave

Suedia është përkrahëse e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Suedia e përkrahë procesin e liberalizimit të vizave në Kosovës dhe procesin e integrimit të saj si dhe të vendeve të tjera të cilat dëshirojnë të bëhen pjesë e BE-së. Suedia dëshiron që të gjithë popujve t’iu jepet mundësia që të lëvizin lirshëm”, tha Urban Ahlin, kryetar i Parlamentit të Suedisë.
Ai, këto komente i bëri pas takimit që pati në Prishtinë me homologun kosovar, Kadri Veselin.
Duke i uruar kreut të Parlamentit të Suedisë mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, kryeparlamentari Veseli falënderoi kryetarin Ahlin për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake, politike e ekonomike të shtetit suedez për Kosovën në të gjitha fazat, si dhe në aspektin e zgjerimit të njohjes ndërkombëtare të Kosovës e të procesit të integrimit evropian.
Veseli çmoi lart marrëdhëniet e deritashme ndërmjet dy vendeve, përkatësisht ndërmjet parlamenteve dhe avancimin e tyre gjatë viteve, por shtoi se ka rrugë dhe mundësi të tjera për ta rritur më tej këtë bashkëpunim.
Kreu i legjislativit të vendit e konsideroi të vyer për Kosovën dhe Kuvendin e saj përvojën e gjatë demokratike e parlamentare të Suedisë, praktika të të cilës, konform rrethanave, mund të jenë të zbatueshme në vendin tonë.