Statistika të frikshme mbi gjendjen e sigurisë në kryeqytet

Autori:Avdyl Pajaziti

Statistikat e Policisë së Kosovës mbi gjendjen e sigurisë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, ofrojnë të dhëna që janë mjaft shqetësuese, veçmas për shtim të aksidenteve në trafik, por edhe për përleshje ndërmjet njerëzve, që përfundojnë me lëndime të rënda.

Të dhënat statistikore flasin për shtim të numrit të aksidenteve në trafik. Gjatë nëntëmujorit të këtij viti ndodhën 5.788 aksidente, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin 5.589 aksidente në trafik. Janë këto statistika të frikshme për aksidentet e ndryshme, të ndodhura në çdo aks rrugor të vendit.

Bie fjala, sipas të dhënave të policisë, të premten e kësaj jave, më 23 tetor, ndodhën 77 aksidente në trafik, prej të cilave 27 ishin me të lënduar. Për mosrespektim të rregullave në trafik policia ka shqiptuar 729 tiketa. Gjithashtu janë arrestuar 16 persona, kurse në mbajtje kanë qenë 13.

Sipas ekspertëve, numri i lartë i aksidenteve automobilistike në vendin tonë vazhdon të jetë një nga shqetësimet kryesore të sigurisë rrugore.

Analisti për çështje sigurie, Naim Maloku, mendon se nuk janë tejkaluar kufijtë e një gjendje të menaxhuar sa i përket sigurisë në Kosovë, përveç problemeve të sigurisë sikurse në çdo shtet tjetër, por, sipas tij shqetësuese mbeten aksidentet në komunikacion.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/statistika-te-frikshme-mbi-gjendjen-e-sigurise-ne-kryeqytet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala