“Srpska” nuk e voton FAK-un

Autori:Avdyl Pajaziti

Përfaqësues të Listës “Srpska” paralajmërojnë se nuk do ta votojnë Projektligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), të cilin Qeveria e ka proceduar në Kuvend.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ka thënë për “Zërin” se qëndrimi i Listës “Srpska” është i prerë dhe se nuk do të votojnë pro Forcave të Armatosura të Kosovës. Sipas tij, ky subjekt politik nuk do të votojë pro FAK-ut edhe nëse një gjë e tillë kushtëzohet me themelimin e Gjykatës Speciale.

Një ditë më parë, më 27 maj, në mbledhjen e saj të rregullt, Qeveria e Kosovës ka bërë shqyrtimin e propozimit për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, qe ka të bëjë me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Me shumicë votash, Qeveria arriti që t’i procedojë në Kuvend amendamentet, të cilat i hapin rrugë krijimit të Ushtrisë së Kosovës, kundër së cilës votuan dy ministrat e “Listës Serbe”, Branimir Stojanoviq dhe Dalibor Jevtiq.

Stojanoviq thotë se edhe nëse kryeministri Mustafa u kërkon që të votojnë për themelimin e Ushtrisë së bashku me propozimin për themelimin e Gjykatës Speciale “Lista Serbe” përsëri do të votojë kundër.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk do të mundë të na bëjnë presion e as nuk do të mundë të na detyrojnë të votojmë për Ushtrinë e Kosovës, edhe nëse të njëjtën kohë votojmë për Gjykatën Speciale”, shprehet Stojanoviq. /Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/srpska-nuk-e-voton-fak-un/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala