Spitalet e QKUK-së me dhoma të veçanta “VIP”

Autori:Avdyl Pajaziti

Në spitalet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ndodhen dhoma të veçanta, për pacientë të veçantë. E këta pacientë të veçantë shpeshherë janë njerëz të politikës, të artit.

Këto dhoma të veçanta, ose të njohura si dhoma ‘VIP’ për nga pamja nuk dallojnë shumë nga të tjerat, por megjithatë në to i sëmuri ‘VIP’ ka qetësi, trajtimi është më i veçantë, kanë TV dhe i lejohet përcjellës në dhomë.

Por në këto dhoma “VIP” thuhet se vendohen edhe rastet kur janë tepër të rënda. Kështu ndodhi në Natën e Bajramit kur u shtrua në spitalin e Gjinekologjisë Obstetrike një 21 vjeçare Bajramshah Tahiri nga Podujeva, në gjendje shoku.

Për Telegrafin u prononcua edhe babai i pacientes, Jajush Avdiu i cili me gëzim të madh për shpëtimin e jetës së vajzës së tij iu falënderua doktorëve dhe ekipit mjekësor.

Intervenimi erdhi nga profesori Fehmi Zeqiri, të cilin operacion me shumë vështirësi e kaloi me sukses së bashku me ekipin e tij mjekësor.

“Më lajmëruan për rastin natën e Bajramit, dhe kam ardhur për të intervenuar. Çdo gjë kaloi me shumë sukses. Bajramshah e ka pasur gjendjen shumë të rëndë, ka marr gjithsej 30 doza gjak, dhe tash është nën kontrollin tonë”, ka thënë Zeqiri në një intervistë për Telegrafin.

Drejtoresha e spitalit të Gjinekologjisë Obstetrike, Myrvete Paçarada, në një deklaratë për Telegrafin tha se në repartin e Gjinekologjisë Obstetrike ekziston një dhomë e veçantë për raste të veçanta, por sipas saj, jo për persona të veçantë.

“Ne punojmë vetëm për raste. Ajo dhomë është e dedikuar për pacient që kanë nevojë për kujdes të shtuar, p.sh persona që kanë lindur pas 25 viteve, persona të burgosur që i sjellin në përcjellje, persona që kanë nevojë për përkujdesje të shtuar”, u shpreh ajo.

Paçarada shtoi se nëpër dhomat e zakonshme i kanë nga tri krevate, por sipas saj në këto dhoma nuk lejohet përcjellës, pasi atëherë do të krijohej një ambient jo i mirë për qetësinë e pacientit.

“Kemi dëshirë që ta kemi secilën dhomë me mundësi për përcjellje të personave të afërt mirëpo këto janë kushtet që mund t’ua ofrojmë për momentin. Në këto dhoma kur kemi nevojë edhe për intervenime në kirurgji i thërrasim mjekët, por gjithashtu edhe internistë, thjesht janë raste që duhet të kemi përkujdesje të shtuar. Pacientët mund të kërkojnë sa të duan një dhomë të veçantë por këtu nuk ka tretman të veçantë për askënd. Nuk kemi dallim. Secili repart e ka një dhomë. Nuk ka pagesë të veçantë. Për ne krejt pacientët janë VIP. S’ka mjek të veçantë, s’ka trajtim të veçantë secili që vjen te ne është i rëndësishëm dhe trajtohet njëjtë”, tha tutje ajo.

Por, Paçarada pohoi se kjo dhomë që e quajnë të veçantë, e disa të tjerë dhoma ‘VIP’ kur është e lirë shfrytëzohet edhe për persona të artit, politikës etj.

“Por edhe një e vërtet është, që kur kemi pasur persona të politikës edhe të artit apo persona të veçuar i kemi vendosur në atë dhomë”, ka thënë Paçarada.

Ajo njoftoi se përveç dhomës VIP, spitali ka edhe katër garsoniere, por këto garsoniere janë në shërbim të mjekëve të ndryshëm ndërkombëtar të cilët vijnë për të ligjëruar apo për të vizituar pacientë të ndryshëm.

“Kemi garsoniere të cilat janë të dedikuara për profesorë ligjërues, për vizitor që vijnë për të vizituar klinikën. Sa e paguajnë hotelin, ata janë 24 orë në klinikë. Ata e kanë një dhomë të mirë me: banje, TV, të gjitha kushtet. D.m.th janë gjatë gjithë kohës në përcjellje, dhe nuk është këtu vetëm një orë po ka mundësi 24 orë të hyjë e të vizitoj pacientin. Edhe për trajnime që vijnë e kemi një dhomë”, shtoi tutje drejtoresha Paçarada.

Në korridoret e spitalit na shoqëroi edhe kryeinfermierja Elmaze Vela, që tregoi dhomat e lehonave.

“Këto janë dhomat e pacienteve tona. Përkujdesemi shumë për higjienën, nuk ka erë. Kemi deri në 40 lindja në ditë. Mysafirët të cilët na vijnë dhe i vendosim nëpër garsoniera ushqimin e hanë në mensën e spitalit duke i pajisur me bon”, tha ajo.

Telegrafi gjithashtu kontaktoi edhe me zyrën e Drejtorisë së SHSKUK, e cila sqaroi se objektet fizike të QKUK-së, të cilat i shfrytëzojnë aktualisht klinikat e QKUK-së janë të vjetra, të ndërtuar me plane arkitektonike që më herët dhe që atëherë në kuadër të disa objekteve janë paraparë apartmane.

“Apartmane ka në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, Otorinolaringologji, Kardiologji, Neurologji, Klinika infektive, dhe disa klinika të tjera. QKUK nuk ka mundësi të paguaj hotel për stafin e huaj akademik që ligjërojnë në Kosovë dhe mjekët e huaj që kryejnë intervenime në QKUK dhe i shfrytëzojnë ato”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas njoftimit ato shfrytëzohen edhe në rastet kur bëhet fjalë për pacientë VIP që të mos bien në kontakt direkt me palët dhe pacientët tjerë.

Në njoftimin për Telegrafin thuhet se apartmantet kanë kushte sikurse edhe dhomat e tjera të pacientëve vetëm se jepet mundësia që pacienti të qëndroj vetëm dhomë, pa prani të pacientëve tjerë. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/spitalet-e-qkuk-se-me-dhoma-te-vecanta-vip/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala