Spërkatja e rriqrave me aeroplan, vepër kriminale

Autori:Avdyl Pajaziti

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) ka kërkuar nga Komiteti Ndërministror për Parandalimin e Etheve Hemorragjike, që të merren masa në ndalimin e menjëhershëm të dezinsektimit nga ajri me aeroplan në komunën e Malishevës.

Një shkresë e drejtorit të IKSHP-së, Naser Ramadani, që i është adresuar dy ministrave – Imet Rrahmanit, ministër i Shëndetësisë dhe Ferid Aganit, ministër i Ambientit, kërkohet ndalimi urgjent i spërkatjes nga aeroplani.

“Askund dhe asnjëherë në planin operacional nuk është paraparë e as rekomanduar dezinsektimi nga ajri me aeroplan”, thuhet në shkresën e Ramadanit.

“Kjo procedurë e dëmshme dhe e rrezikshme duhet të ndërpritet menjëherë që të mos fillojë hedhja në ajër e asnjë mikrografi të mjeteve dezinfektuese dhe cdo pasojë eventuale që sot do të ketë konotacione penale për përgjegjësit e komunës së Malishevës gjë që Instituti Kombëtar do ta konsideroj si vepër kriminale e dëmtimit të shëndetit me paramendim”, thuhet në shkresë.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, ka thënë se meqë IKSHP nuk është institucion ekzekutiv jep vetëm rekomandime, të cilat janë obligative për institucionet.

Sipas Ramadanit, spërkatja me aeroplan nuk rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe ekspertët gjermanë.

Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe Shoqata e Kosovës për Deratizim, Dezinfektim dhe Dezinsektim (DDD) në një shkresë që i ka dërguar zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ministrit të Shëndetësisë, Imet Ramadanit, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe komunave të prekura nga rriqrat, ku është thënë se po bëhen shpenzime koti sa i përket spërkatjeve nga ajri. (Zëri)

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sperkatja-e-rriqrave-me-aeroplan-veper-kriminale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala