Specialja javën e ardhshme në Kuvend, konfirmon Thaçi

Autori:Avdyl Pajaziti

(I freskuar) Zëvendëskryeministri i vendit, Hashim Thaçi, njëherësh lider i Partisë Demokratike të Kosovës pas mbledhjes së Grupit parlamentar të PDK-së tha se javën e ardhshme do të procedohen në Kuvend amendamentet që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.
Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së GP të PDK-së, raporton Telegrafi.

Thaçi shprehu besimin se Gjykata do të votohet në Kuvend pasi kjo sipas tij është në të mirë të Kosovës dhe partneritetit me ndërkombëtarët.

———————————————————————————————————–

Votimi i ndryshimeve kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale do të dalë për votim në Kuvendin e Kosovës, të hënën ose të mërkurën e javës së ardhshme, kanë bërë të ditur burime të lajmi.net, brenda qeverisë së Kosovës.

Ky burim ka thënë për lajmi.net, se Qeveria gjatë kësaj jave procedon në Kuvend amandementimin e Kushtetutës, ndërsa seanca e Kuvendit do të mbahet gjatë javës së ardhshme, ditën e hënë ose të mërkurë.

Janë dy forma në bazë të të cilave mund të thirret seancë parlamentare.

Nëse Qeveria e procedon gjatë kësaj jave në Kuvend amendamentet kushtuese, atëherë Kryesia e Kuvendit do të duhet të mblidhet së paku dy ditë para mbajtjes së seancës parlamentare për caktimin e saj.

Ndërsa forma tjetër, është ajo e seancës së jashtëzakonshme, e cila mund të thirret nga Presidenti, Kryeministri apo nga 1/3 e deputetëve të Kuvendit, ku bëhet e mundur që Kuvendi të mblidhet për seancë edhe brenda ditës.

Herën e parë amendamentimi i Kushtetutës që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme, pasi deputetët e opozitës dhe një pjesë e deputetëve të PDK-së, kishin votuar kundër, abstenuar ose nuk kishin marrë pjesë fare në seancë, duke bërë të pamundur sigurimin e 80 votave të nevojshme.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/specialja-javen-e-ardhshme-ne-kuvend/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala