Sot vendoset për seancën e radhës

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mbledhjen e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ku përveç tjerash do të diskutohet edhe për përgatitjen e seancës së ardhshme. Megjithatë, ajo çka dihet deri tani është se opozita nuk ka ndërruar qëndrim dhe do të insistojë të mos mbahet asnjë seancë, deri në tërheqjen e marrëveshjes me Serbinë dhe atë me Malin e Zi.
Sipas njoftimit të Kuvendit, në këtë mbledhje të kryesisë do të miratohet procesverbali nga mbledhja e mëparshme, si dhe do të diskutohet për përgatitjen e seancës plenare, në të cilën, përveç kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, do të miratohet procesverbalit nga seanca e mëparshme.
Kryesia po ashtu do të vendosë nëse në seancën e ardhshme do të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim: “KSV/018: Mbështetje Institucionale dhe Teknike për Sistemin e Furnizimit me Ujë në Rajonin e Mitrovicës”, projektligji p? ?r Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, projektligji për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar dhe projektligji për Mjekësinë Ligjore.
Po ashtu, sot do të vendoset nëse deputetët në seancën e radhës do të shqyrtojnë projektligjin për patentë shofer, projektligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, projektligjin për letërnjoftimin.
Kryesia do të vendosë po ashtu nëse në seancë do të shqyrtohet raporti i Komisionit për Punë të Jashtme për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin Konsullor, të misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës dhe rekomandimet lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Integrimeve Evropiane për vitin 2014.
Në këtë mbledhje do të shqyrtohen po ashtu edhe rekomandimet lidhur me raportin e auditimit të performancës për mirëmbajtjen dhe ser visimin e veturave zyrtare, si dhe raportit të auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë e Administratës Publike, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës për vitin 2014, raportin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2014, raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015, si dhe përzgjedhjen e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.