Sot pritet vetëm miratimi i amendamentit për Gjykatën Speciale, ligji në ditët në vijim

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot pritet të votojnë vetëm amendamentin që i hapë rrugë krijimit të Gjykatës Speciale. Por jo edhe projektligjin që e themelon Gjykatën, pasi për këtë duhet të kalohen edhe në disa procedura.
Debati në Kuvendin e Kosovës për Gjykatën Speciale nuk parashihet të përfundojë sot, pasi që ka ende proceduara tjera teknike. Kjo, për shkak se edhe nëse deputetët miratojnë amendamentin për krijimin e Gjykatës, projektligji për Gjykatën Speciale në Kuvend mund të sillet vetëm pasi ta ketë aprovuar Qeveria në mbledhjen e radhës.
Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës pritet të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme, menjëherë nëse Kuvendi miraton ndryshimin e amendamentit, në mënyrë që të procedoj para deputetëve projektligjin për Specialen. Por, thirrjen e seancës së radhës për t’u votuar ky projektligj mund ta bëjë vetëm Kryesia e Kuvendit, tek pasi projektligjin ta ketë aprovuar Komisioni për Legjislacion.
E me gjasë kjo pritet të ndodhë në ditët e para të javës së ardhshme, në një seancë tjetër, shkruan Gazeta Express.
Ndryshe, në Kuvend deputetet po debatojnë për themelin e kësaj gjykate që nga ora 10:00 e mëngjesit të së premtes.