Sot pritet të vendoset për fatin e rektorit Zejnullahu

Autori:Avdyl Pajaziti

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të mblidhet sot pasdite për të vendosur rreth një kërkese të një grupi senatorësh për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu.

Mbledhja vjen dy ditë pas një takimi të përbashkët gati nëntë-orësh të Këshillit Drejtues, Senatit dhe menaxhmentit të Universitetit në të cilin palët në kontest dhanë argumentet e tyre për çështjet të cilat kanë shkaktuar bllokimin e punës në Senat.

Kryesuesja e këtij këshilli, Shefkije Islamaj dje nuk zbuloi qëndrimin e saj për votën që do ta japë sot, por la të kuptohet se qëndrimi i saj tashmë është përcaktuar.

“Qëndrimin tim do ta them në mbledhje”, tha shkurt Islamaj për KALLXO.com.

Nga ana tjetër, një anëtare e Këshillit Drejtues, Alberta Troni, kur është pyetur dje nga KALLXO.com për qëndrimin e saj, ka thënë se nuk është përcaktuar ende nëse do të votojë ‘për’ apo ‘kundër’ shkarkimit të rektorit.

Kërkesa për shkarkimin e Zejnullahut është nënshkruar nga 28 senatorë ndërsa ankesa kryesore e senatorëve ka të bëjë me stopimin e avancimeve pa kriter, hap të cilin e ka ndërmarrë Zejnullahu që nga ditët e para të ardhjes së tij në krye të UP-së, në shtator të vitit të kaluar.

Në mbledhjen e së hënës u fol edhe për avancimet, infrastrukturën, afatet e provimeve dhe çështje tjera.

“Konsideroj që ky takim u zhvillua më frymë shumë konstruktive dhe shumë kolegiale ku u shpalosën shumë çështje. KD pati mundësinë t’i dëgjojë për së afërmi të gjitha ato shqetësime që kanë pasur menaxhmenti me senatin”, u shpreh të hënën pas përfundimit të mbledhjes Islamaj.

Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë, pesë nga universiteti dhe katër caktohen nga MASHT-i.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sot-pritet-te-vendoset-per-fatin-e-rektorit-zejnullahu/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala