Sot Kosova nënshkruan MSA’në

Autori:Avdyl Pajaziti

Sot Kosova do ta nënshkruajë ne Strasburg marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian. Do te jete Kryeministri Isa Mustafa ai i cili do të firmosë dokumentin së bashku me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Federika Mogherini.

Kjo marrëveshje është cilësuar si e një rëndësie historike për integrimin, politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës ne Bashkimin Europian.

Vetë Kryeministri Mustafa ka theksuar se me këtë marrëveshje përkufizohet edhe territori i Republikës së Kosovës, në të cilin zbatohen rregullat e Bashkimit Europian. Ky nënshkrim vjen vetëm 1 javë pas votës historike që i hapi rrugën Kosovës për t’u anëtarësuar për në UNESCO, anëtarësim i cili pritet të finalizohet më 9 nëntor,raporton TCh.

Po ashtu, MSA-ja vjen në kohën kur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një çështje shumë e diskutuar në hollet e kancelarive europiane.

Por çfarë vjen më pas? Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje mes Kosovës dhe BE-së, do të duhet ratifikimi i saj në 28 parlamentet anëtare të Bashkimit Europian, një proces që nuk duket se do jetë dhe aq i lehtë, kur në mes, janë dhe 5 shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Shqipërisë ju deshën plot 3 vite pritje, deri në ratifikimin e MSA-së nga të 25 parlamentet e vendeve anëtare në atë kohë. Por në kushtet e Kosovës, ku në mes janë parlamentet e Greqisë, Spanjës, Rumanisë, Qipros dhe Sllovakisë, duket se pritja, debatet dhe lobimet do të jenë shumë më të fuqishme dhe do të marrin kohë. Me rëndësi sot është firma që do të hidhet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sot-kosova-nenshkruan-msane/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala