Sot fillon largimi i barrikadës mbi Ibër

Autori:Avdyl Pajaziti

Zyra e BE-së në Kosovë do të jetë në kontakt të rregullt me të dy komunat në të gjithë procesin për të monitoruar dhe ndjekur vazhdimisht punimet.

Barrikada mbi uren e lumit Ibër e quajtur edhe si “Parku i Paqes”, do të fillojë të largohet sot.

Pasditen e hershme, do të mbyllet ura për të filluar punimet për largimin e barrikadës mbi lum, është njoftuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, duke realizuar kështu marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë, për lëvizjen e lirë.

Kontraktori nga Bashkimi Europian do të mbyllë të dy anët e urës për të krijuar një hapësirë punuese brenda saj, shpjegohet në njoftimin e BE-së.

“Ndërsa puna ndërtimore në urë do të kryhet duke hyrë në vendin e ndërtimit nëpërmjet anës Jugore”.

Gjatë kohës së rivitalizimit, njëra anë e urës do të mbetet në dispozicion të këmbësorëve.

Samuel Zbogar, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë / Përfaqësuesi Special i BE-së, lavdëron durimin e të dy palëve, duke veçuar dy kryetarët Agim Bahtiri dhe Goran Rakiq për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre gjatë ditëve të fundit.

Ndërsa diskutimet mbi Memorandumin e Mirëkuptimit për planet zhvillimore komunale, Hartat e Zonimit Komunal dhe Plani Rregullues i detajuar do të vazhdojnë.

Zyra e BE-së në Kosovë do të jetë në kontakt të rregullt me të dy komunat në të gjithë procesin për të monitoruar dhe ndjekur vazhdimisht punimet, njofton Klan Kosova.

“Po ashtu, gjatë tërë kohës publiku në Kosovë do të mbahet i informuar në lidhje me këtë çështje”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Rivitalizimi i urës në Mitrovicë është paraparë me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes së arritur më 25 gusht 2015, në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sot-fillon-largimi-i-barrikades-mbi-iber/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala