Sot dita më e ftohtë, temperaturat deri në -17 gradë

Autori:Avdyl Pajaziti

Edhe pse mëngjesi i së hënës erdhi me temperatura shumë të ulëta në juglindje dhe në verilindje, duke krijuar probleme të shumta nga akulli në rrugë, meteorologët raportojnë se dita e sotme do jetë më e ftohtë.

Parashikimet e motit flasin se dy do jenë zonat më të ftohta. Dibra, ku temperaturat pritet të zbresin në -17 dhe Korça, ku temperatura do shkojë në -12. Për këtë arsye, mësohet se do të pezullohet dhe mësimi në disa zona të Qarkut të Korçës.

Ndërkaq, rënia e temperaturave deri në -10 gradë në disa zona gjatë së hënës, ka krijuar vështirësi të mëdha në lëvizjen e mjeteve aty ku është shfaqur akulli. Emergjencat Civile bëjnë të ditur se të gjitha akset nacionale janë të hapura dhe se firmat kontraktore po hedhin kripë në rrugë për të mbajtur hapur kalimin.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, rrugët nacionale janë të kalueshme, por është i detyruar përdorimi i zinxhirëve për shkak të akullit.

Në Rrugën e Kombit trashësia e dëborës afër tunelit Thirrë-Kalimash është 45 cm, por në rrugë nuk ka dëborë sepse 8 borëpastrueset kanë qenë vazhdimisht në punë.

Po ashtu, raportohet se një sërë fshatrash në verilindje të vendit janë tërësisht të bllokuara. Ndërkohë gjatë së hënës, për shkak të rritjes së nivelit të lumit Devoll është bllokuar sërish qarkullimi në rrugën Elbasan-Gramsh.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sot-dita-me-e-ftohte-temperaturat-deri-ne-17-grade/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala