Sondazhi: në korrik, më pak pushues në Shqipëri se vjet

Autori:Zekirja Shabani

Vera e këtij viti ka qenë sa e nxehtë, aq dhe e zhurmshme. Vapa përtej normales e korrikut ishte e dobët për turizmin, sidomos në Durrës e Sarandë, që vuajtën mosardhjen e pushuesve nga Kosova, për shkak të muajit të Ramazanit. Gushti më i freskët, ashtu si natyra me stuhitë e kohën e paqëndrueshme, ishte i trazuar, si nga ndërprerjet e energjisë, ashtu dhe faturat e kripura e shërbimin që linte për të dëshiruar, me të cilat u përballën pushuesit, sidomos në Jug të vendit.

Qendra e Kërkimeve Monitor ka realizuar sondazhin me 100 hotele bregdetare nga Saranda në Velipojë, ku përfaqësuesit e hoteleve janë pyetur për zënien e hoteleve në korrik, në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar dhe prenotimet për muajin gusht. Sondazhi është zhvilluar javën e dytë dhe të tretë të muajit gusht.

Nga 100 hotelet e anketuara, 42% raportuan se situata në korrik ishte më keq se një vit më parë; 23% më mirë; 25% njësoj si vjet dhe pjesa tjetër nuk dhanë informacion.

Monitor_694

Në gusht, përqindja e atyre që raportuan se prenotimet ishin më keq se vitin e kaluar zbriti në rreth 30%, megjithatë u rrit numri i atyre që nuk ishin në gjendje të jepnin një përgjigje.

42% më keq se vitin e kaluar

42% e hoteleve të anketuar raportuan se situata ishte më keq se vitin e kaluar. Pjesa më e madhe e hoteleve që raportuan se po vuajnë nga mungesa e pushuesve ishin në Sarandë dhe në Durrës e Golem, dy zona këto që vitet e fundit janë bërë pre e ndërtimeve masive, që kanë përçudnuar bukuritë natyrore të tyre.

Monitor_694

Kontabilisti i Vila Park Bujari në Sarandë dhe i disa hoteleve të tjera, pohoi se kishte shumë pakënaqësi, pasi nuk kishte asnjë rregull dhe standard në Ksamil.

Përfaqësues të Summer Dream në Sarandë pohuan se në korrik, zënia e hoteleve ishte 67%, ndërsa vitin e kaluar, hoteli ka qenë plot.

Drejtuesit e Hotel Driloni, po në Sarandë, thanë se po largohen pushuesit, për shkak të prishjeve që po kryhen në bregdet.

Hotel Onufri në Kavajë ka pohuar se nga 36 dhoma në korrik ishin të zëna vetëm 3 dhe për gushtin ishte sërish situatë e dobët.

Hoteli, me një kapacitet të lartë të dhomave, Dolce Vita në Durrës, me 106 dhoma, që mund të presin deri në 280 pushues, ka raportuar një zënie të hotelit prej 40%, nga 80% që kishte qenë në korrikun e një viti më parë. Në gusht, situata është përmirësuar, me prenotimet që garantonin 65% të kapacitetit të hotelit, megjithatë më keq se vjet, kur dhomat u mbushën deri në 90%.

Edhe Vila Belvedere në Durrës, me 100 dhoma dhe kapacitet deri në 250 pushues kishte një zënie në rreth 70%, më keq se vjet, megjithatë ishin optimistë për gushtin, ku prenotimet ishin rritur, sidomos nga të huajt.

California, po në Durrës, me 50 dhoma, kishte të prenotuara në korrik vetëm 40% të tyre.

Në total, të 42 hotelet që raportuan një situatë më të keqe se vjet, zënia e hoteleve ishte nga 25% deri në 90%, me një mesatare prej rreth 50%.

Shumica e të anketuarve kanë pohuar pothuajse njëzëri se kishin pak prenotime. Përkimi i Ramazanit me muajin korrik ishte një nga arsyet, megjithatë pesimizmi mbizotëronte te të anketuarit.

Nga hotelet që raportuan se korriku kishte qenë më keq, 55% kishin prenotime më të ulëta edhe në gusht, në raport me gushtin e kaluar, ku sërish kryesojnë Saranda e Durrësi, por dhe Vlora.

 

Monitor_694

Largohen pushuesit maqedonas

Dy drejtues hotelesh në Sarandë dhe Vlorë, përkatësisht të Esmeralda dhe Hotel International, pohuan se këtë vit janë larguar pushuesit maqedonas, të cilët disa vjet më parë “zbuluan” fillimisht Durrësin, që më pas e braktisën, duke iu drejtuar Jugut të vendit. Drejtuesit e Hotel Esmeralda pohuan se në largimin e tyre ka ndikuar reklama e keqe mbi shërbimin si dhe tejmbushja e hoteleve.

Optimistët

Durrësi ka edhe optimistë, që vlerësojnë zgjidhjen e problemit me ujërat e zeza, ndërsa të tjerë janë të shqetësuar për furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa e justifikojnë korrikun e dobët me muajin e Ramazanit. Energjia është një tjetër shqetësim tashmë i njohur.

Periudha më e mirë, kur shfrytëzohen në maksimum kapacitetet është ajo e gjysmës së parë të gushtit. Të tjerë janë lidhur me agjenci dhe shpresojnë se ato do t’iu sjellin më shumë klientë.

Kompleksi Fafa në Durrës, me 180 dhoma dhe kapacitet 500 turistë, ka pasur një zënie prej 95% në korrik, por drejtuesit thanë se prenotimet për gushtin ishin më të ulëta në raport me një vit më parë.

Edhe në Tropikal Resort, niveli i zënies ishte 80% në korrik dhe 90% në gusht, njëlloj me një vit më parë.

Të anketuarit nxjerrin në pah dhe një tendencë, që nuk ka shumë prenotime afatgjata, por pushuesit vijnë për 2-3 ditë. Kjo situatë është e dukshme sidomos në Velipojë e Shëngjin, ku pushuesit nga Kosova, për shkak të afërsisë, vijnë edhe vetëm për një fundjavë, apo dhe një natë dhe nuk shpenzojnë shumë për turizmin në Shqipëri.

Hotelet në Vlorë e Shëngjin raportojnë një situatë të stabilizuar, me prenotime që janë në të njëjtat nivele me vitin e kaluar./monitor/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sondazhi-ne-korrik-me-pak-pushues-ne-shqiperi-se-vjet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala