Sllovenia po e pret vendimin e Gjykatës së Hagës për lirimin e Haradinaj

Autori:Avdyl Pajaziti

Republika e Sllovenisë nuk e përjashton mundësinë që liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ta ekstradojë për në Serbi, e cila në vitin 2004 përmes INTERPOL-it ka lëshuar urdhër për arrestimin e tij me pretendimin se i njëjti ka kryer krime lufte.

Në një përgjigje zyrtare të Gjykatës së Qarkut të Kranj-it për gazetën “Zëri”, thuhet se vetëm kur të verifikohet urdhërarresti dhe të sigurohet vendimi i Gjykatës së Hagës, atëherë do të vendoset ekstradimi apo jo i Haradinjat në Serbi.

“Vetëm kur të jetë e mundur që të verifikohen të gjitha këto informata, Gjykata do ta bëjë një propozim në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Sllovenisë, në mënyrë që qytetari i Republikës së Kosovës t’i dorëzohet Republikës së Serbisë apo të mos bëhet ekstradimi i tij”, ka njoftuar Gjykata e Kranj-it përmes një përgjigjeje me shkrim për “Zërin”.

Kjo Gjykatë e ka konfirmuar se qytetari i Republikës së Kosovës, në këtë rast Ramush Haradinaj, është arrestuar në Aeroportin e Lubjanës dhe i njëjti sipas Kodit Penal të Republikës së Sllovenisë është marrë në pyetje nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Qytetari i Republikës së Kosovës, sipas tyre, i ka premtuar gjyqtarit se ai nuk do ta lëshojë territorin e Republikës së Sllovenisë pa autorizim të Gjykatës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sllovenia-po-e-pret-vendimin-e-gjykates-se-hages-per-lirimin-e-haradinaj/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala