Sllobodan Gavriq kishte sjellë tri herë eksploziv nga Beogradi në Prishtinë (Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

I akuzuari për terrorizëm, Slobodan Gavriq, po përpiqet që ta paraqesë veten si transportues të eksplozivit nga Beogradi në Prishtinë.

Madje i tillë sa avokati i tij sot në gjykatë tha se si ishte kapur në flagrancë me eksploziv tek herën e tretë që kishte sjellë material shpërthyes në kryeqytetin e Kosovës.

Gavriq u kap me rreth 13 kilogramë eksploziv në dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë pasi makina e tij u ndal nga Policia në lagjen “Arbëria”.

Mbrojtësi i tij, Zhivojin Jokanoviq, kontestoi aktakuzën e ngritur nga prokuroria Speciale duke thënë se ajo “i paraqet disa inserte ndërsa disa të tjera i heshtë”.

Paraprakisht, prokurorja e rastit Drita Hajdari, tha se vlerësimi i prokurorisë për kryerjen e veprës penale është bazuar në hetimet që janë bërë për këtë çështje.

“Hetimi ka rezultuar se i akuzuari në Beograd është furnizuar me eksploziv prej 12.219 gramëve, i përgatitur në 25 pajisje dhe e ka sjellë në Prishtinë”, tha Hajdari.

Por Jokanoviq tha se Gavriq për herë të tretë në interval të shkurtë kohor ka sjellë eksploziv në Prishtinë.

Sipas avokatit, Gavriq ka kaluar nëpër kontrolle kufitare të Serbisë dhe Kosovës.

“Kemi dëshmi që ai e ka kaluar natën në “Hotel Grand” në Prishtinë”, tha Jokanoviq.

Jokanoviq tha se Gavriq ishte në gjendje të rëndë ekonomike për këtë arsye ai ka pranuar që t’i transportojë eksplozivët nga Beogradi për në Prishtinë me makinën e tij “Renault Clio”. Sipas avokatit, eksplozivin në Beograd e kishte pranuar nga një person me emrin Zhelko Todoroviq për një vlerë rreth 5000 euro.

Vetë i akuzuari nuk u lëshua në deklarata gjatë seancës së sotme, por e mbështeti mbrojtjen që ia kishte përgatitur avokati i tij.

Kryetarja e trupit gjykues, mori vendim që paraqitja e provave të bëhet në seancën e radhës e cila do të mbahet me datë 18 janar 2016.

Prokuroria Speciale me datën 10 korrik 2015 ngriti aktakuzë kudër Sllobodan Gavriqit duke e akuzuar se ka kryer veprën penale të përgatitjes së veprave terroriste, ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, Sllobodan Gavriq ka përgatitur kryerjen e veprën penale të terrorizmit ashtu që gjatë muajit dhjetor të vitit 2014 në Beograd është furnizuar me 25 pajisje eksplozive me peshë totale 12.219 gramë, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm PETN i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Gavriqi këtë sasi të eksplozivit e ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë me veturën e ti “Renault Clio” kur rreth orës 21:00 në Lagjen “Arbëria” është ndaluar nga Policia e Kosovës me ç‘rast gjatë kontrollimit të kryer në bagazhin e veturës së tij është gjetur çanta në të cilin është vendosur eksplozivi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sllobodan-gavriq-kishte-sjelle-tri-here-eksploziv-nga-beogradi-ne-prishtine-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala