Skandaloze: Truprojet e Ali Ahmetit kërcënojnë studentët dhe arsimtarin

Autori:Avdyl Pajaziti

Mbrëmë, nën patronazhin e Sekretariatit për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, në Manastir është mbajtur manifestim kulturor për të kremtuar përvjetorin e alfabetit shqip. Në këtë manifestim kanë qenë prezent edhe dy studentët Blerona Brao, Arbër Arsllani dhe arsimtari i tyre Lebit Murtishi. Ngjarjen që ndodhi mbrëmë në Manastir ku truprojat e Ali Ahmetit sulmuan Lebit Murtishin dhe dy studentët e tregon Blerona Brao, nëpërmjet një reagimi që jua transmeton Telegrafi.

‘Unë studentja Blerona Brao dhe kolegu im, gjithashtu student, Arbër Arsllani patëm fatin e mirë të marrim pjesë në përvjetorin e alfabetit të shkronjave shqipe në Manastir.
Fati ynë u bë edhe më i madh kur në mesin tonë erdhi dhe u ul mësuesi ynë shpirtëror, Lebit Murtishi, i cili gjithë jetën ka ecur rrugës së shkronjave shqipe të cilave, u ka falur edhe një grusht gjak nga gjaku i tij.

Çudia ndodhi, kur pas hapjes së programit solemn në skenën e dekoruar ku ishte vendosur orkestra filharmonike e RTSH nga e cila prisnim me padurim intonimin e Himnit Kombëtar, çuditërisht mbi të njëjtën skenë u shfaqën katër shkronja që përbënin emrin ABAZ.

Dhe ky “ABAZI” na qenkësh Ali Ahmeti.

U tronditëm thellë kur në këtë përvjetor, që për ne të rinjtë ishte e para herë që merrnim pjesë në një manifestim të tillë kur pamë se shkronjat e shenjta të alfabetit të lara nga dhjetra breza me gjak të kulluar shqiptari, u mbuluan me një emër turk që po i shërben turpërisht armiqve të shkronjave shqipe, që vet këtij Manastiri të lashtë ja ka marrë të drejtën e të shkruarit Shqip.

Në çast, u ngrit në këmbë mësuesi ynë Lebit Murtishi, u nis drejtë derës dhe në shenjë proteste dëgjuam këto fjalë:
“Turp të keni që edhe këtë datë të shenjtë po e njollosni me emrat tuaj të ndotur. Ky është manifestim i alfabetit dhe jo gradim i bandave të krimit”!

Pas tij, si me katapult u nisëm unë dhe Arbëri.
Çudia u bë edhe më e madhe kur pas nesh u derdhën rreth njëzet banditë të Ali Ahmetit, na rrethuan në koridor me kërcënime më vullgare deri te kërcnimi me zhdukje fizike, të cilave ne u përgjigjëm sipas nivelit të tyre.

Duke parë gadishmërinë tonë për të dhënë jetën në manifestimin e shkronjave shqipe, njëri nga banditët, sigurisht kapobandoja i të gjithëve, e pyeti mësuesin tonë se cili ishte ai që mori guximin të prish manifestimin e “ABAZA-VE”.

Jam Lebit Murtishi tha mësuesi ynë, jam njeriu që në këtë qytet njëherë jam torturuar për vdekje nga banda të uniformuar, ndërsa sonte do isha më i lumtur të jap jetën prej jush që flisni “shqip”!

Urdhëroni pra!

Në atë moment kapobadoja e ndërroi qëndrimin dhe kërkoi prej nesh ta lishojmë atë ambient edhe pse ne presim, tashmë e kishim lëshuar sallën e gjarprinjëve të gjakut.

Do ta mbajmë mend këtë datë të shënuar, manifestimin e së cilës e kishin organizuar bandat e armatosura të pushtetit të Gruevskit që po lufton me tërë qenien e tij kundër gjuhës dhe qenies shqiptare, njëkohësisht i bëjmë thirrje brezit tonë:

QË KURRË TË MOS MASHTROHEN DHE KURRË TË MOS BESOJNË SE VRASËSIT E GJUHËS SHQIPE DOT BËJNË PËR TË MË SHUMË SE Ç’BËNË BANDAT E ALI AHMETIT SONTE ME NE!’ përfundon reagimi i studentes Brao.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/skandaloze-truprojet-e-ali-ahmetit-kercenojne-studentet-dhe-arsimtarin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala