SKANDALOZE: Ministria e Hajredin Kuçit inkurajon rritjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar (DOKUMENT)

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministria e Drejtësisë e drejtuar nga Hajredin Kuçi, ka marrë një vendim skandaloz. Kjo ministri ka inkurajuar rritjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar me vendimin që të amendamentoj Kodin Penal të Kosovës. Në projektligjin e ndryshuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë amnistohen të gjithë ata që nuk e deklarojnë pasurinë.

Në nenin 437 të Kodit Penal të Kosovës, ku flitet për mos raportimin ose raportimin e rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, dhe dobisë tjetër materiale ose e detyrimeve financiare, me amandamentimin e këtij neni është futur fjala “me qëllim të fshehjes së pasurisë”.

Derisa sipas Kodit Penal të Kosovës, i cili është në fuqi, ata zyrtarë që nuk e deklarojnë pasurinë ose e fshehin atë, shkaktojnë vepër penale, sipas këtij ndryshimi, ata shfajësohen dhe nuk mund të dënohen në asnjë formë nga ana e Gjykatave edhe nëse ngritet kallzim penal ndaj tyre.

Në nenin 437 që aktualisht është në fuqi thuhet: “1. Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. Vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës.

2. Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili falsifikon ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”.

Futja e fjalës “me qëllim të fshehjes së pasurisë”, sipas prokurorëve dhe zyrtarëve të Agjencisë Kundër Korrupsionit ka inkurajuar rritjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një prokuror në kushte anonimiteti i ka thënë Gazetës Blic se ky është ndër vendimet më skandaloz të Ministrisë së Drejtësisë. “Secili mund të thotë se ai pasurinë nuk e ka deklaruar me qëllim të fshehjes. Dhe si do të kemi mundësi ta vërtetojmë se çfarë qëllimi ka pasur ai që e ka fshehur pasurinë e tij. Mund të thotë se kemi harruar dhe nuk na është kujtuar”, tha ky prokuror.

Edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit kanë shprehur shqetësimet e tyre për këtë amandamentim të Kodit Penal. Sipas tyre, me këtë ndryshim, përfundimisht inkurajohet korrupsioni e krimi i organizuar, tha një zyrtar i lartë i kësaj agjencie për Gazetën Blic.

Sipas zyrtarëve të AKK-së më skandaloz është edhe fakti se nuk dihet nëse Ministria e Drejtësisë e drejtuar nga Hajredin Kuçi ka formuar komision për amendamentin e Kodit Penal dhe se kush e ka përbërë atë komision.

Brenda pak ditësh pritet që ky projektligj t’i dërgohet edhe Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte ngritur kallëzime penale ndaj disa deputetëve dhe zyrtarëve të lartë shtetëror për fshehje të pasurisë. Madje, ndaj disa prej tyre, Prokuroria kishte ngritur edhe aktakuza./ Gazeta Blic

Kodi penal në fuqi

kodi ne fuqi

 

 

Amandamentet e propozuara

amandamentet e propozuara

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/skandaloze-ministria-e-hajredin-kucit-inkurajon-rritjen-e-korrupsionit-dhe-krimit-te-organizuar-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala