Skandali me cigare dhe inteligjenca Britanike

Autori:Zekirja Shabani

Një hetim i shërbimeve britanike për një rast të dyshuar kontrabande është kthyer në një çështje “alla shqiptare” pas sekuestrimit të një kamioni me 550 mijë paketa të dyshuara si kontrabandë.

Dy ditë më parë, policia e Durrësit njoftoi se kishte arrestuar tre shtetas të dyshuar për kontrabandë, duke paraqitur si sukses sekuestrimin e sasisë më të madhe të cigareve të kapura ndonjëherë.

Plot 550 mijë paketa të markës “Merhaba” u sekuestruan në një kamion me targa shqiptare që drejtohej nga shtetasi Ilir Dengu, 53 vjeç nga Tirana.

Shoferi i kamionit ishte kontraktuar nga porositësi i cigareve për të transportuar mallin nga Mali i Zi ku ishin prodhuar deri në portin e Durrësit, pasi ngarkesa kishte si destinacion final Sllovakinë.

Por e vërteta e “suksesit” të Hetimit Doganor dhe Policisë së Shtetit është zbuluar nga një informacion që ka mbërritur pranë këtyre strukturave nga njësitë inteligjente britanike, të cilat kanë patur nën vëzhgim këtë rast.

Ata kanë informuar autoritetet shqiptare se në territorin e vendit tonë do të hynte trajleri me targa TR 0349 R, me drejtues Ilir Dengun, i cili transportonte një ngarkesë cigaresh të blera në Malin e Zi.

Britanikët ndanë informacionin se cigaret mund të magazinoheshin në Shqipëri dhe më pas të devijonin nga itinerari final Sllovakia, për t’u futur në Maqedoni.

Por bashkë me këtë informacion, njësitë e inteligjencës iu kanë kërkuar autoriteteve shqiptare të mbanin në vëzhgim trajleri-n me cigare, i cili ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë nga pika doganore në Shkodër.

Britanikët kanë porositur autoritetet shqiptare që në rast se kamioni do të vazhdonte rrugën drejt Portit të Durrësit, Hetimi Doganor dhe Policia Shqiptare nuk duhet të ndërhynin, pasi me këtë çështje do të merreshin autoritetet italiane.

Por pavarësisht këtij fakti, që në hyrje të trajleri-t në Shkodër, agjentët doganorë ju kanë komunikuar drejtuesit të mjetit dhe një personi që shoqëronte ngarkesën, se dyshoheshin për kontrabandë dhe për këtë arsye ata duhet të dërgoheshin në Doganën e Tiranës.

Pas kryerjes së procedurave dhe numërimit të paketave që ndodheshin në trajler, autoritetet doganore kanë konstatuar se bëheshin fjalë për 550 mijë paketa të markës “Merhaba” të porositura në Mal të Zi nga një shtetase shqiptare e Maqedonisë, cigare të cilat kishin si destinacion Sllovakinë.

Blerësit e cigareve ishin të pajisur edhe me një leje për kalimin tranzit në Shqipëri me qëllim ngarkimin e tyre në Portin e Durrësit për të shkuar drejt destinacionit final.

Pasi është njohur me këto të dhëna, Dogana e Tiranës ka lejuar trajleri-n të vazhdojë udhëtimin drejt Durrësit.

Por sapo ka mbërritur në Portin e Durrësit, drejtuesi i mjetit bashkë me personin që shoqëronte mallin janë arrestuar nga Hetimi Doganor dhe Policia, si të dyshuar për kontrabandë.

Arrestimi ka befasuar drejtuesin e trajleri-t dhe shoqëruesin e mallit, ndërsa mësohet se policia ka arrestuar edhe shtetasin Irfan Ameti, 46 vjeç nga Maqedonia me banim në Tiranë, i cili rezulton të jetë vëllai i porositëses së cigareve në Mal të Zi.

Kjo sasi cigaresh rezulton se ishte blerë nga fabrika e prodhimit në Mal të Zi në vlerën e 82 mijë eurove dhe nëse do të hidhej në tregun e pakicës vlera do i kalonte 1 miliard e 500 milion lekë.

Por pavarësisht dyshimeve për kontrabandë, verifikimi i kryer nga Prokuroria e Durrësit ka konstatuar se nga të dhënat paraprake nuk ka elemente të kontrabandës.

Por duke qenë se hetimet do të vazhdojnë me dërgimin e letër-porosive në Mal të Zi dhe Sllovaki që është deklaruar si destinacioni final, organi i akuzës pritet të kërkojë garanci pasurore si masë sigurimi për të dyshuarit.

Mësohet se prokuroria do kërkojë 50 mijë euro garanci pasurore për shtetasin turk dhe atë shqiptaro-maqedonas, ndërsa hetimet do të vijojnë për të përcaktuar nëse është vërtet një rast kontrabande apo një nxitim i autoriteteve shqiptare.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/skandali-me-cigare-dhe-inteligjenca-britanike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala